FFK me njoftim të rëndësishëm për blerësit e biletës për ndeshjen Kosovë – Bullgari

  • 24 March 2019 - 15:04
FFK me njoftim të rëndësishëm për blerësit e biletës për ndeshjen Kosovë – Bullgari

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) u ka bërë thirrje të gjithë atyre që kanë blerë biletë për ndeshjen e Kosovës kundër Bullgarisë, që t’i shtypin ato në versionin bardhezi.

Kosova do ta presë Bullgarinë në stadiumin “Fadil Vokrri” nesër në kryeqytet, në ndeshjen e saj hapëse për kualifikim në Kampionatin Evropian 2020, dhe tifozët janë lutur të jenë të kujdesshëm me biletat e blera online

Rreth 12 mijë bileta për këtë ndeshje, e cila nis në orën 20:45, u nxorën në shitje online.

“Të gjithë qytetarët që kanë blerë bileta online për ndeshjen Kosovë – Bullgari, duhet që ta shtypin biletën në versionin bardhezi. Bileta e shtypur duhet të jetë e pastër dhe teksti dhe kodet duhet të jenë të lexueshme në mënyrë që poseduesi i biletës të mos ketë probleme gjatë hyrjes në stadium. Pra, çdo posedues i biletës duhet ta ketë parasysh që ajo të mos jetë e dëmtuar”, njofton FFK-ja.

Kosova merr pjesë për herë të parë në një fushatë kualifikuese për Kampionat Evropian, dhe ndodhet në Grupin A bashkë me Anglinë, Republikën e Çekisë, Bullgarinë dhe Malin e Zi. 

(Kosova Sot)