Gjenerata e artë 

  • 26 March 2019 - 10:10
Gjenerata e artë 

Në çdo garë që marrin pjesë fitojnë medalje 

Xhudistët e Kosovës në çdo garë që marrin pjesë fitojnë medalje. Kjo nuk vlen vetëm për seniorët, por, edhe gjeneratat e reja. Pesë xhudistë janë me normë olimpikë, derisa edhe gjeneratat e reja premtojnë shumë për të ardhmen. Padyshim se më i merituari për këto suksese është Driton Kuka, i cili po bën një punë të jashtëzakonshme dhe ka merita të mëdha për sukseset e xhudistëve në arenën ndërkombëtare 

Xhudistët e Kosovës kanë pasur shumë suksese në arenën ndërkombëtare. Xhudistët janë krenaria e vendit, duke sjellë medalje elitare nga çdo garë që kanë marrë pjesë. Si në garat e Grand Prix e Grand Sleme, por edhe në Kampionate Evropiane, Botërore dhe Lojëra Olimpike, xhudistët asnjëherë nuk janë kthyer me ‘duarthatë’, pasi gjithmonë kanë fituar medalje. Kjo ka bërë që pesë xhudistë të jenë brenda normave olimpike, por, edhe kategoritë e reja po shkëlqejnë në çdo garë që marrin pjesë. 

Tri medalje nga Greqia 

Kështu ndodhi edhe në Kupën Evropiane në Greqi për të rinj, që u mbajt gjatë fundjavës. Kosova mori pjesë me gjashtë garues dhe fitoi dy medalje të arta, një të bronztë, një vend i pestë dhe një vend i shtatë. Në këtë garë u paraqitën 346 xhudistë nga 25 vende, ndërsa Kosova u rendit si e treta më e suksesshme, pas Bjellorusisë e Turqisë. Të shtunën medalje të arta fituan Erza Muminoviq në kategorinë deri 48 kilogramë dhe Flaka Loxha në kategorinë deri 57 kilogramë. Erza, që është 16-vjeçare, fitoi ndaj garueseve nga Greqia, Bullgaria, Rusia e Austria. Muminoviq vjet ishte kampione evropiane për kadete dhe fitoi medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike për të Rinj. Flaka Loxha fitoi ndaj garueseve nga Turqia, Gjermania, Hungaria e Austria. Për të është suksesi më i madh deri më tani.

Në kategorinë deri 57 kilogramë garoi edhe Fationa Kasapi që u ndal në luftën e parë. Laura Fazliu nisi fuqishëm në kategorinë deri 63 kilogramë, duke shënuar dy fitore. Por u ndal në gjysmëfinale nga një polake, e më pas e humbi edhe luftën për të bronztën nga një izraelite, dhe kështu u rendit e pesta. Shpati Zekaj në kategorinë deri 100 kilogramë shënoi dy fitore para se të mposhtej nga një turk në gjysmëfinale. Për medalje të bronztë e mposhti një turk tjetër. Arbër Kullashi u rendit i shtati në kategorinë deri 81 kilogramë, duke shënuar katër fitore e duke pësuar dy humbje.

Gjeneratë që premton suksese 

Sigurisht se më i merituari për këto suksese është trajneri Driton Kuka. “Greqia për të dytën herë me himn e flamur të shtetit tonë po njoftohet. Flaka Loxha ishte e shkëlqyeshme dhe fitoi medaljen e artë. Katër fitore dhe paraqitje e mirë e Erza Muminoviq pas dy garave të kaluara ku mbet pa medalje”, është shprehur Kuka. Gjithsesi kjo është një fitore e dyfishtë për Kosovën, si sportive ashtu edhe politike, duke dëshmuar se sukseset më të mëdha të vendit janë pikërisht në sport.

“Kosova mori pjesë me gjashtë garues, fitoi dy medalje të arta, një të bronztë, një vend i pestë dhe një vend i shtatë. Shpat Zekaj ishte favorit për të artën sipas meje, por në gjysmëfinale nuk luftoi si duhet dhe u desh të kënaqet me medalje të bronztë në kategorinë 100 kg. Arbër Kullashi luftoi mjaft mirë. Ai fitoi plot 4 lufta e pësoi dy herë, duke u renditur në vendin e shtatë dhe është ky plasmani më i mirë i tij deri më tani.

Mikpritja e Federatës Greke ishte në nivel dhe shprehen mirënjohje që Kosova edhe në tokën greke tregoi potencialin e saj e ku mediet atje reflektuan pozitivisht karshi simboleve tona shtetërore”, është shprehur përzgjedhësi i Kosovës në xhudo.

(Kosova Sot)