Gjyqtari nuk akordoi penallti kundër Serbisë, i kërkon falje trajnerit të Portugalisë

  • 26 March 2019 - 11:27
Gjyqtari nuk akordoi penallti kundër Serbisë, i kërkon falje trajnerit të Portugalisë

Gjyqtari polak i ndeshjes mes Portugalisë dhe Serbisë e kishte akorduar një penallti pasi topi u ndal nga krahu i Antonio Rukavinas, mirëpo më vonë e tërhoqi prapa vendimin e tij, pas një bisede me ndihmësin.

Trajneri i Portugalisë, Fernando Santos, ka thënë se gjyqtari i ndeshjes i kërkoi atij falje që nuk e kishte akorduar një penallti, gjatë barazimit të ekipit portugez në ndeshjen e mbrëmshme kundër Serbisë.

Santosi kishte mbetur shumë i zemëruar kur gjyqtari Szymoin Marciniak fillimisht vendosi ta akordonte një penallti për portugezët në minutën e 73-të të ndeshjes, kur goditja e Andre Silvas u ndal nga krahu i Antonio Rukavinas e pastaj vendosi ta tërheqë prapa vendimin e tij, pas një bisedë me ndihmësin e tij.

Incidenti erdhi në momentin kur Portugalia ishte duke e kërkuar me ngulm golin e fitores në ndeshjen kundër Serbisë, të cilët kishin kaluar në epërsi qysh në minutën e shtatë, përmes Dusac Tadicit që shënoi nga pika e penalltisë. Danilo Periera kishte barazuar me një super gol vetëm tri minuta para përfundimit të pjesës së parë.

Portugalia nuk arriti ta gjejë golin e fitores dhe ky rezultat bënë që portugezët ta kenë filluar rrugëtimin për kualifikim në EURO 2020 me dy barazime radhazi, pasi kishin barazuar edhe në ndeshjen e parë, kundër Ukrainës.

“Ai [gjyqtari] më ftoi për të shkuar për ta analizuar incidentin. Ne e pamë atë dhe nuk kishim asnjë dyshim, as unë e as ai. Pastaj, ai më kërkoi falje për vendimin. Ai nuk kishte asnjë dyshim, por sinqeriteti i tij nuk më ndihmon”, ka thënë Santos.

“Çfarë duhet të bëj unë me atë arsyetim? Të paktën ai më ftoi për ta analizuar ndeshjen. Unë e pashë incidentin nga të dy këndët. Nga këndi i parë, mund të kesh dyshim, mirëpo këndi i dytë s’të lë hapësirë për të dyshuar”.

“Ndihmësi ishte aty dhe unë mendoj se faji ishte i tij”. 

(Kosova Sot)