Malazezët i presin lojtarët e Anglisë me thirrje raciste

  • 26 March 2019 - 12:01
Malazezët i presin lojtarët e Anglisë me thirrje raciste

Paraqitjet mbresëlënëse të dyshes së Anglisë, Callum Hudson-Odoi dhe Raheem Sterling, mbetën nën hije për shkak të thirrjeve raciste të tifozëve malazez.

Mbrëmë, Anglia e vizitoi Malin e Zi për ndeshjen e vlefshme për kualifikimet në Kampionatin Evropian. “Tre Luanët” e fituan këtë ndeshje me rezultat 5:1.

Megjithatë, përkundër fitores bindëse, anglezët nuk u larguan nga stadiumi të kënaqur, për shkak të thirrjeve raciste që malazezët i kishin bërë në drejtim të Hudson-Odoit, Sterlingut dhe Danny Rose.

Trajneri i ekipit kombëtar të Anglisë, Gareth Southgate, i ka kritikuar tifozët malazezë të cilët shkaktuan këtë incident, duke i abuzuar në baza racore futbollistët me ngjyrë.

“Ne do ta zgjidhim këtë problem menjëherë, në mënyrën e duhur. Ne duhet të sigurohemi që po u ofrojmë mbështetje të mjaftueshme lojtarëve tonë”, tha Southgate, pas ndeshjes me rezultat 5:1.

Në Grupin A, bashkë me Anglinë dhe Malin e Zi, garojnë edhe Kosova, Bullgaria dhe Republika Çeke. Kosova radhitet e treta, me një ndeshje më pak të zhvilluar se Bullgaria e Anglia, që radhitet më lartë. 

(Kosova Sot)