Rrëfimi i Ujkanit: Pse e lashë Shqipërinë dhe e zgjodha Kosovën

  • 26 March 2019 - 13:15
Rrëfimi i Ujkanit: Pse e lashë Shqipërinë dhe e zgjodha Kosovën

Portieri dhe kapiteni i ekipit kombëtar të Kosovës, Samir Ujkani, ka treguar pse e ka zgjedhur Kosovën në një intervistë me rrjetin televiziv australian, Sport Optus.

Samir Ujkani e bëri paraqitjen e tij të 20-të për Kosovën në ndeshjen miqësore me Danimarkën, po aq sa i ka edhe për ekipin kombëtar të Shqipërisë

Ujkani kishte luajtur edhe për ekipin U-21 të Shqipërisë ndërsa për ekipin e parë kishte debutuar më 10 qershor të vitit 2009. Gjatë shtatë vjetëve me kuqezinjtë, ai i bëri 20 paraqitje.

30-vjeçari i ka bërë po kaq paraqitje edhe për Kosovën, pasi debutoi më 3 qershor të vitit 2016. Për shumicën e ndeshjeve që atëherë, Ujkani ka qenë titullar për “Dardanët”, mirëpo së fundi duket se Arijanet Murici e ka zënë pozitën e portierit të parë.

“Unë po luaja për Shqipërinë në atë kohë. Isha krenar që po luaja për Shqipërinë, i falënderoj ata gjithmonë dhe ishte një kohë fantastike. Por, kur Kosova e krijoi ekipin kombëtar, për mua ishte si një ëndërr e kthyer në realitet dhe unë isha i pari që e bëra këtë hap”, ka thënë Ujkani për “Sport Optus”.

 “Ishte si një ëndërr… kur isha i vogël, dëgjoja se ne kemi humbur familjarë në luftë dhe e mbaj mend se kur isha i vogël, i kisha thënë babait se do të luajë për ekipin kombëtar të Kosovës, që në atë kohë nuk ekzistonte”.

“Kur ishte lufta, shumë gjëra ndodhën, shumë gjëra të këqija dhe unë mendova se në këtë mënyrë mund të shpaguaj gjithçka, për familjen time dhe për të gjithë njerëzit që luftuan për këtë vend”.

(Kosova Sot)