Trajneri i Malit të Zi: Nuk dëgjova asnjë thirrje raciste

  • 26 March 2019 - 15:42
Trajneri i Malit të Zi: Nuk dëgjova asnjë thirrje raciste

Trajneri i ekipit kombëtar të Malit të Zi, Ljubisa Tumbakovic, insistoi se ai nuk dëgjoi asnjë thirrje raciste nga tifozët malazezë në drejtim të futbollistëve me ngjyrë të Anglisë, gjatë ndeshjes së mbrëmshme për kualifikimet në EURO 2020.

Fitorja 5:1 e Anglisë në stadiumin e qytetit të Podgoricës mbeti nën hijen e pretendimeve për thirrje raciste, të cilat ishin bërë në drejtim të Danny Rose dhe Callum Hudson-Odoit.

Mbrojtësi i Tottenhamit, Rose, dukej se u bë viktimë e abuzimit në baza racore nga tifozët në tribunat e stadiumit, pasi u ndëshkua me karton të verdhë. Ndërsa, Hudson-Odoi pretendoi se ai ishte gjuajtur me shkrepëse nga tifozët malazezë, kur po e festonte golin e pestë të Anglisë.

Raheem Sterlingu kishte sugjeruar se abuzimi racor duhet të dënohet duke i detyruar ekipet të luajnë pa tifozë nëpër stadiume. Mirëpo, Tumbakovici pretendon se ai ishte i përqendruar në ndeshje dhe nuk i ka dëgjuar këto thirrje.

“Nuk kam vërejtur apo dëgjuar asnjë thirrje. Hera e parë që po dëgjoj diçka të tillë është tani. Pikë së pari, nuk po e shoh arsyen pse duhet ta komentoj këtë gjë”, ka thënë  Tumbakovic, pas përfundimit të ndeshjes.

“E dyta, nuk kam dëgjuar asgjë. E treta, unë po mendoja për ndeshjen kështu që mu desh të përqendrohem në lojë”.

UEFA ka hapur procedurë disiplinore ndaj Malit të Zi për këtë incident dhe ndeshja Mal i Zi – Kosovë rrezikon të luhet pa tifozë.

(Kosova Sot)