Hazardi mbetet favorit për t’u transferuar në Real Madrid

  • 26 March 2019 - 15:43
Hazardi mbetet favorit për t’u transferuar në Real Madrid

Çdo ditë, emri i një futbollisti të ri përflitet për një transferim të mundshëm në Real Madrid. Megjithatë, emri i njërit nuk largohet asnjëherë nga këto spekulime.

Ylli belg i Chelseat, Eden Hazard, mbetet futbollisti favorit për t’iu bashkua skuadrës së Zinedine Zidane në Santiago Bernabeu për sezonin tjetër.

Për këtë transferim është përfolur për një kohë të gjatë tani dhe nuk do të jetë aspak tronditëse nëse Hazardi e siguron një transferim nga Londra në kryeqytetin spanjoll këtë verë.

Chelsea është duke tentuar ta bindë yllin e skuadrës së tyre që ta rinovojë kontratën, e cila skadon në vitin 2020. Dënimi që e kanë marrë nga FIFA, që nuk i lejon të transferojë lojtarë gjatë dy afateve të ardhshme kalimtare, bën që skuadra londineze të ketë edhe më shumë nevojë për Hazardin.

Megjithatë, duket se ditët e Hazardit në Premierligë janë të numëruara.

Ëndrra e belgut për t’u transferuar në Real Madrid nuk ishte kthyer në realitet në vitin 2012, kur futbollisti vendosi të transferohet në Angli, përkundër interesimin të Zinedine Zidane.

Tani që është 28-vjeçar, Hazardi është në kulmin e karrierës së vet dhe është i gatshëm ta sfidojë veten në njërin prej klubeve më të mëdha të botës.

(Kosova Sot)