Këta janë tre tifozët e zjarrtë të Kombëtares së Kosovës

  • 26 March 2019 - 16:57
Këta janë tre tifozët e zjarrtë të Kombëtares së Kosovës

Ambasadorët e ndër tri vendeve më të mëdha të botës në Prishtinë, të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë, ishin në mesin e mbështetësve më të mëdhenj të ekipit kombëtar të Kosovës në ndeshjen e saj të parë kualifikuese për Kampionat Evropian kundër Bullgarisë.

Ata kanë shprehur mbështetjen e tyre për Kosovën në rrjetet sociale, duke treguar po ashtu përshtypjet që verdhekaltrit u kanë lënë atyre, pasi ishin të pranishëm në barazimin 1:1 të hënën në “Fadil Vokrri” në kryeqytet

Kosova e nisi fushatën kualifikuese për EURO 2020, të parën në histori të saj pas pranimit në UEFA dhe FIFA tri vite më parë, me një barazim në ndeshjen hapëse ndaj Bullgarisë, me gjithë dominimin e madh në fushë.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip S. Kosnett, tha se ishte kënaqur duke e shikuar Kosovën, derisa i kishte pëlqyer edhe flamuri i Kosovës duke valëvitur teksa zhvillohej ndeshja.  

“U kënaqa në ndeshjen e mbrëmshme mes Kosovës dhe Bullgarisë. Ishte gjë e mrekullueshme ta shihnim flamurin e Kosovës duke valëvitur derisa brohorisnim për këta atletë të shkathtë në këtë ndeshje të mirë”, shkroi Kosnett në Twitter.

Për ambasadorin gjerman në Prishtinë, Christian Heldt, Kosova mund të jetë gjigant i futbollit botëror edhe pse një vend shumë i vogël.

Heldt shkroi në Twitter: “Këtë e ndien në çdo ndeshje të Kosovës. Prandaj përpiqem të jem aty, sepse mund ta shohësh duke u rritur identifikimin pozitiv. Ne kishim një fenomen të tillë me flamurin në Kampionatin Botëror më 2006. Prandaj, vazhdoni me këtë frymë: vendi i vogël, por me potencial për të qenë gjigant të futbollit.”

Ndërsa, Ruairi O’Connell, ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, një tifoz tashmë i njohur i “Dardanëve” postoi fanellën me numrin 9 të Kosovës, disa orë para ndeshjes duke treguar se është gati për takimin e madh.