Gazeta e madhe zvicerane: Pa Xhakën Zvicra e fal fitoren, fajtor trajneri Petkovic që e zëvendësoi

  • 26 March 2019 - 23:37
Gazeta e madhe zvicerane: Pa Xhakën Zvicra e fal fitoren, fajtor trajneri Petkovic që e zëvendësoi

Gazeta më e madhe zvicerane “Blick” nuk ka asnjë dyshim se largimi i Granit Xhakës nga loja dhjetë minuta para fundit ndikoi kryekëput në rikthimin e pabesueshëm të Danimarkës.

Zvicra po fitonte 3:0 deri në minutën e 84-të, por nga ai moment Danimarka ia doli të rikthehet në lojë duke e barazuar rezultatin në 3:3 për vetëm nëntë minuta.

Kapiteni kosovar i Zvicrës, Granit Xhaka, u zëvendësuar nga trajneri Vladimir Petkovic dhjetë minuta para fundit, vetëm 12 minuta pasi e kishte shënuar golin e dytë të vendasve, një gol të mrekullueshëm me këmbën e tij të dobët.

Xhaka kompletoi 95% të pasimeve në këtë ndeshje, duke e kontrolluar lojën dhe dominuar në fushë.

Por, pas largimit të tij, Danimarka gjeti shumë hapësira në fushë dhe shënoi tri gola për nëntë minuta duke nxjerrë një barazim shumë të rëndësishëm.

Blick e fajëson trajnerin serb për këtë dështim, duke argumentuar se pa Xhakën Zvicra humbi.

“Trajneri i ekipit kombëtar Petkovic na la pa fitore! Si kapiteni dhe golashënues, Xhaka largohet, është 3:0. Pa Xhakën, Zvicra e fal fitoren”, shkroi Blick në raportin e lojës mes Zvicrës dhe Danimarkës.

(Kosova Sot)