Politika po e pushton edhe futbollin

  • 27 March 2019 - 09:37
Politika po e pushton edhe futbollin

Njerëzit e fuqishëm të politikës nuk paguajnë për bileta në zonën VIP

Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, edhe pse mban pozitën e dytë më të rëndësishme në FFK, është dashur të shmanget për të gjetur një vend në stadium, pasi pjesa ku zakonisht u takon atyre ishte e pushtuar nga politikanët 

F utbolli dhe Federata e Futbollit e Kosovës duket se është në telashe me politikanët. Derisa në çdo vend të botës sportistëve kulmorë u rezervohet vendi më i veçantë në objektet ku zhvillohen aktivitetet sportive, kjo në shenjë respekti për kontributin e dhënë, në Kosovë po ndodh e kundërta. Federata e Futbollit e Kosovës nuk po mund të përballet me fuqinë e politikanëve, të cilët sikur e kanë uzurpuar edhe futbollin.

Ndeshja e fundit që Kosova e zhvilloi ndaj Bullgarisë zgjoi një interesim të jashtëzakonshëm tek adhuruesit e futbollit dhe në këtë situatë politikanët sikur dëshironin të përfitonin vëmendjen e të gjithëve duke i rezervuar vendet më të mira në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë. Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli , pastaj Fatmir Limaj, Fatmir Sejdiu, Shpend Ahmeti, Abelard Tahiri, Kujtim Gashi e Uran Ismaili të shoqëruar edhe nga familjarë të tyre ishin ndër politikanët e pranishëm në stadium për ta përkrahur Kosovën. Kjo prani e tyre nuk u la vend sportistëve, të cilët është dashur të gjejnë vende të tjera në stadium për ta ndjekur ndeshjen. Kjo gjë aspak nuk i ka pëlqyer sekretarit të përgjithshëm të FFK-së, Eroll Salihu. Biletat VIP që kanë një çmim prej 80 eurove nuk po blihen nga politikanët, ata i rezervojnë në FFK ato dhe kjo sigurisht që ka një kosto për vetë FFK-në. "Shumë institucione lajmërohen për bileta dhe ne nuk mundemi të vazhdojmë kështu.

Po mendojmë ta gjejmë një zgjidhje", ka thënë Salihu, i cili edhe pse mban një pozitë kyçe në Federatën e Futbollit të Kosovës, ka qenë i detyruar të shmanget për të gjetur një vend, pasi vendi i tij ishte zënë nga njerëz të politikës. Bunjaku: Politika po e dëmton futbollin "Edhe pse nga shumë futbolldashës  po apelohet që politika të qëndrojë sa më larg futbollit të Kosovës, kohët e fundit po vërehet një pushtim edhe më i madhe i politikës në futbollin e Kosovës,e këtë më së miri e dëshmojnë ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovës të zhvilluara në stadiumin në Prishtinë e më herët në Mitrovicë", ka thënë Nexhmedin Bunjaku për gazetën "Kosova Sot", i cili në këtë situatë fajëson edhe vetë FFK-në, e cila sikur varet nga politika. "Krerët e FFK-së, gjatë turbullirave të para ca ditëve rreth shkarkimit të kryetarit të FFK-së Agim Ademit, thoshin se këta "skenarë" janë kryesisht politikë në një anë, kurse gjatë ndeshjeve të fundit të Kosovës e gjithë zona VIP ishte e rezervuar(uzurpuar) nga politika; presidenti, kryeministri, deputetë të partive të ndryshme, kryetarë komunash,familjarë e miq të tyre, figura të tjera të panjohura në botën e futbollit, e më së paku apo fare nuk shiheshin futbollistët apo ish- futbollistët, veprimtarë apo kontribuues të futbollit!!!", ka thënë Bunjaku.

"Ngjarjet e fundit rreth shkarkimit të kësaj udhëheqjeje të FFK-së dhe vizita e politikanëve gjatë stërvitjeve dhe ndeshjeve të Kosovës dhe e fundit situata me VIP në stadiumin e futbollit të Prishtinës, tregojnë se politika ka pushtuar futbollin e Kosovës gjë që këto ngjarje rrezikojnë shumë ecurinë dhe qëndrimin e FFK-së në instancat më të larta të futbollit, pra UEFA dhe FIFA", ka thënë Bunjaku për "Kosova Sot". Rrezikohemi në FIFA e UEFA Sipas Nexhmedin Bunjakut, nëse politika nuk largohet nga sporti shumë lehtë mund të dënohemi nga FIFA e UEFA, të cilat janë strikte kur është në pyetje kyçja e politikës në futboll. Bunjaku ka akuzuar drejtuesit e FFK-së, sipas të cilit vetë ata duhet të distancohen nga politikanët.

"Prijësit aktualë të FFK-së, në një anë qajnë me "lot krokodili" dhe akuzojnë politikën se po u përgatit shkarkimin e tyre, kurse në anën tjetër "puthin dorën" e zgjatur të politikanëve në futboll!!. Skenat dhe skandalet e fundit, pa dyshim që do i detyrojnë FIFA-n dhe UEFA-n të hetojnë të gjitha abuzimet në FFK e që bien ndesh me statutet dhe rregulloret e këtyre dy instancave. Politika duhet të qëndrojë larg futbollit, dhe për më mirë edhe të largojë nga federata edhe të gjithë ata që veprimtarin politike e fshehin pas posteve të uzurpuara në FFK, në të kundërtën rrezikohemi të kthehemi aty ku ishim para 2016,dhe te mbetemi peng i politikës dhe manipuluesve edhe për 16 vjet të tjera ne vijim. Politikën le të udhëheqin politikanët, kurse sportin-futbollin sportistët", ka përfunduar Nexhmedin Bunjaku

(Kosova Sot)