Kjo Kosovë mund t'i befasojë të gjithë

  • 27 March 2019 - 09:48
Kjo Kosovë mund t'i befasojë të gjithë

Deri në qershor Kosova pritet të ngritët edhe më shumë në aspektin e cilësisë

Vetëm një pikë e fituar ndaj Bullgarisë nuk kënaqi aspak tifozët e Kosovës, kjo pasi ekipi ynë kombëtar dominoi në lojë dhe kjo është dëshmia më e mirë sesa shumë është rritur Kosova, pasi edhe me kundërshtarë të mëdhenj nuk po kënaqet me barazim

P araqitjet e jashtëzakonshme me Danimarkën dhe Bullgarinë, ani pse rezultati nuk ishte i kënaqshëm (barazime në të dyja ndeshjet), dëshmon se Kosova tash është shumë e madhe dhe se premton një të ardhme me shumë suksese. Vetëm një pikë e fituar ndaj Bullgarisë nuk kënaqi tifozët e Kosovës, kjo pasi ekipi ynë kombëtar tregoi lojë të mirë dhe kjo është dëshmia më e mirë sesa shumë është rritur Kosova, pasi edhe me kundërshtarë të mëdhenj nuk kënaqet me barazim. "Personalisht jam shumë i kënaqur me dy ndeshjet e përfaqësueses sonë, asaj ndaj Danimarkës dhe ndaj Bullgarisë, për mënyrën sesi ne luajtëm ndaj tyre duke treguar karakter e dëshirë të madhe për rezultat pozitiv", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", ish= futbollisti i mirënjohur, tash trajner, Genc Sermaxhaj.

Me Danimarkën luajtëm më mirë Kosova në sfidën e parë në histori të saj në eliminatoret për kampionatin Evropian, u paraqit mirë dhe vetëm edhe më me pak fat ka mundur të shënoi fitore pasi kishte shumë raste, madje raste që shumë rrallë humben. Megjithatë, sipas Sermaxhajt, Kosova duke u bazuar në sfidën ndaj Danimarkës, ka mundur të luajë edhe më mirë me Bullgarinë. "Më mirë luajtëm ndaj Danimarkës, por ishte e natyrshme, pasi ajo ishte ndeshje kontrolluese dhe presioni për fitore është më i vogël dhe futbollistët janë më të lirë për të luajtur, ndërsa ndaj Bullgarisë pjesa e parë ishte jo e mirë, sepse bullgarët mbroheshin mirë dhe nuk lejuan shumë hapësira për ne, e po ashtu presioni i madh për ta fituar ndeshjen për të na dhënë tri pikë ishte vërtet i madh", ka thënë Sermaxhaj, sipas të cilit Bullgaria ani pse ishte deklaruar se nuk e njeh mirë Kosovën, ajo në fakt e kishte njohur shumë më mirë sesa ishte pretenduar.

"Bullgaria kishte analizuar në detaje ndeshjen tonë dhe në shumë momente na penalizuan, por nuk arritën më shumë t'i bëjnë ballë sulmeve aq të rrezikshme të Kosovës në pjesën e dytë", tha Sermaxhaj. Kosova meritoi fitore në të dyja ndeshjet "Pa asnjë dyshim ne kemi pasur mundësi që të dyja ndeshjet t'i fitojmë, por për këtë duhet të shtojmë më shumë koncentrimin në zonat e caktuara të fushës, të jemi më vigjilentë dhe shumë konkretë në pjesën e sulmit", ka vlerësuar Sermaxhaj, sipas të cilit ky ekip ka të ardhme të madhe.

"Kjo Përfaqësuese premton shumë për të ardhmen, por gjithsesi duhet të jemi të matur në vetëkënaqësi. Lojtarët duhet të vazhdojnë me formën e tyre të mirë dhe minutazhin e madh në ekipet e tyre, dhe në ndeshjet e muajit qershor të jemi me formën e njëjtë. Të gjithë futbollistët treguan lojë të mirë e më së shumti më la përshtypje Besar Halimi, i cili ndryshoi lojën me të hyrë në fushë ndaj bullgarëve, ku mendoj se është dashur të luajë nga fillimi, dhe Zeneli i cili po tregohet konkret me realizimin e njëjtë të golave dhe formës së mirë. Në tërësi ajo që vlen të theksohet është se Kosova në aspektin kolektiv po luan shumë mirë dhe kjo jep shpresë për të ardhmen", ka përfunduar Genc Sermaxhaj

(Kosova Sot)