Deklaratat e sportistëve që e rrëfyen urrejtjen për Real Madridin

  • 27 March 2019 - 10:12
Deklaratat e sportistëve që e rrëfyen urrejtjen për Real Madridin

Qoftë pasi luajnë ose e mbështesin një ekip rival, qoftë për arsye të tjera – ka një numër të njerëzve në botën e sportit që e konsiderojnë veten si anti-Madridista apo urrejtës të Real Madridit.

Pierre Oriola është sportisi i fundit që e ka deklaruar mospëlqimin e tij për “Los Blancos’, mirëpo ai pa dyshim nuk është i pari.

E përditshmja spanjolle, Marca, i ka listuar disa nga emrat më të mëdhenj që e kanë pranuar se nuk u pëlqen klubi madrilen.

Pierre Oriola

Basketbollisti i Barcelonës foli për “Los Blancos” të dielën.

“Unë jam tifoz i Barcelonës, por edhe më shumë jam anti-Madridist”, ka thënë ai.

Joan Gaspart

Ish-presidenti i Barcelonës e kishte bërë publik qëndrimin e tij kundër klubit rival.

“Real Madridi me irriton, unë jam një anti-Madridista”, kishte thënë ai

Hristo Stoichkov

Ish-sulmuesi i Barcelonës është një tjetër sportist që e ka ngacmuar Real Madridin gjatë viteve të fundit. Ai madje kishte shkuar deri atje sa për të thënë se e urren ngjyrën e bardhë.

“Nuk do të më shihni asnjëherë veshur me ngjyrë të bardhë pasi që e urrej Real Madridin dhe e urrej ngjyrën e bardhë”, ishte shprehur bullgari.

Paulo Futre

Legjenda e Atletico Madridit i ka shfrytëzuar shpeshherë rrjetet sociale për ta treguar urrejtjen e tij për Real Madridin, përmes fotografive dhe talljeve me “Los Blancos”.

Jesus Gil

Ish-presidenti i Atletico Madridit ishte shumë i zëshëm për të gjitha temat, përfshirë këtu edhe Real Madridin.

“I shijoj disfatat e Real Madridit”, kishte thënë ai.

Jose Luis Nunez

Ngjashëm me Gilin, ish-presidenti i Barcelonës Nunez e kishte një marrëdhënie jo edhe aq të mirë me homologët e tij në Real Madrid.

Ai pretendoi se Barcelona ishte keqtrajtuar dhe se është e natyrshme që ai ta urrej Real Madridin.

Gabi

Ish-kapiteni i Atletico Madridit është një tjetër sportist i cili bën pjesë në mesin e njerëzve që e kanë bërë publike urrejtjen për Real Madridin.

“Kur rritesh nëpër grupmoshat e akademisë dhe luan kundër Real Madridit, bëhesh anti-Madridist. Nuk është mirë apo keq, është realiteti i Atletico Madridit’, ishte shprehur ai.

Oscar Mena

Argjentinasi mund të ketë qenë pjesë e Atletico Madridit vetëm për tre vjet, mirëpo ai e kishte përvetësuar këtë ndjenjë anti-Madridiste shumë shpejt.

“Unë gjithmonë dua që Real Madridi të humbë dhe që gjërat t’u shkojnë keq. Këtë gjë e bën një tifoz i mirë i Atletico Madridit. Ti duhet të festosh kur ata humbin”, kishte deklaruar Mena. 

(Kosova Sot)