Trajneri zviceran e zbulon arsyen pse e zëvendësoi Xhakën

  • 27 March 2019 - 11:15
Trajneri zviceran e zbulon arsyen pse e zëvendësoi Xhakën

Trajneri i ekipit kombëtar të Zvicrës, Vladimir Petkovic, ka bërë të ditur se vetë Granit Xhaka kishte kërkuar të zëvendësohej në ndeshjen kundër Danimarkës, që përfundoi me rezultat 3:3, për shkak të një lëndimi.

Gazeta zvicerane, Blick, e fajësoi trajnerin Vladimir Petkovic për zëvendësimin e Granit Xhakës në ndeshjen kundër Danimarkës, duke raportuar se zëvendësimi i mesfushorit të Arsenalit ishte arsyeja pse Zvicra i humbi dy pikë në këtë ndeshje.

Megjithatë, në konferencën për shtyp pas ndeshjes së mbrëmshme, Petkovic zbuloi se ai nuk e kishte zëvendësuar me dëshirë Xhakën, mirëpo mesfushori kishte mbetur i lënduar.

“Ai ma bëri me shenjë dhjetë minuta para se ta zëvendësoja se e kishte një problem me muskulin e këmbës. Ai nuk mund të ecte. Ne pritëm edhe pak, por e pamë që nuk po funksiononte”, u shpreh Petkovic.

Zvicra po fitonte 3:0 deri në minutën e 84-të, por nga ai moment Danimarka ia doli të rikthehet në lojë duke e barazuar rezultatin në 3:3 për vetëm nëntë minuta.

Kapiteni kosovar i Zvicrës, Granit Xhaka, u zëvendësua nga trajneri Vladimir Petkovic dhjetë minuta para fundit, vetëm 12 minuta pasi e kishte shënuar golin e dytë të vendasve, një gol të mrekullueshëm me këmbën e tij të dobët.

Xhaka kompletoi 95% të pasimeve në këtë ndeshje, duke e kontrolluar lojën dhe dominuar në fushë. Por, pas largimit të tij, Danimarka gjeti shumë hapësira në fushë dhe shënoi tri gola për nëntë minuta duke nxjerrë një barazim shumë të rëndësishëm.

“Trajneri i ekipit kombëtar Petkovic na la pa fitore! Si kapiten dhe golashënues, Xhaka largohet, është 3:0. Pa Xhakën, Zvicra e fal fitoren”, shkroi Blick në raportin e lojës mes Zvicrës dhe Danimarkës.

Pas dy xhirove të zhvilluara, Zvicra radhitet në pozitën e dytë në Grupin B të kualifikimeve për EURO 2020. Ajo radhitet pas Irlandës, me dy pikë më pak. 

(Kosova Sot)