Arsyet pse Mbappe s’do të largohet nga PSG-ja

  • 27 March 2019 - 16:01
Arsyet pse Mbappe s’do të largohet nga PSG-ja

Projekti i Paris Saint-Germainit i ka dy shtylla kryesore pas vetes: një është Neymari dhe tjetri është Kylian Mbappe.

Ylli francez, Kylian Mbappe, u transferua në Parc des Princes si njëri ndër lojtarët më të shtrenjtë dhe tani është bërë ylli i madh i Parisit. Ai adhurohet nga tifozët, veçanërisht pas triumfit në Kupën e Botës me Francën.

Real Madridi e ka bërë të qartë se nuk do të bëjë ofertë për ta transferuar Mbappen gjatë afatit kalimtar të kësaj vere dhe drejtorët në Paris e shohin francezin si të patransferueshëm, pavarësisht ofertës.

Impakti jashtë fushës

Dëshira e PSG-së për ta mbajtur Mbappen shkon përtej asaj që francezi e ofron në fushë. Mbappe dhe Neymari janë për futbollin francez të ngjashëm me David Beckhamin në Spanjë, gjatë kohës së tij në Real Madrid. Ata janë makina për prodhimin e parave.

PSG-ja është përballur me disa probleme financiare gjatë kohës së fundit, mirëpo Neymari dhe Mbappe ndikojnë pozitivisht në aspektin financiar.

Ata presin edhe më shumë

Është e lehtë të harrohet se Mbappe është ende shumë i ri. PSG-ja e di se 20-vjeçari mund të ofrojë edhe më shumë dhe francezi pritet ta bëjë pikërisht këtë gjë sezonin tjetër.

Presidenti i PSG-së, Nasser al Khelaifi, e ka bërë të qartë se nuk dëshiron ta shesë Mbappen sepse ai është njëri ndër futbollistët më të mirë në botë dhe ai nuk do të lejojë që sulmuesi të kalojë te ndonjë rival evropian.

Vetë lojtari i kishte siguruar tifozët francezë se dëshiron të vazhdojë me PSG-në, pas disfatës kundër Manchester Unitedit. Që nga atëherë ai nuk ka pranuar të spekulojë për të ardhmen e tij.

“Ka shumë njerëz që kanë dyshime për klubin, por unë do të vazhdoj të besoj në këtë projekt. Do të jem këtu, jam i sigurt për këtë gjë”, ishte shprehur Mbappe.

(Kosova Sot)