Prishtina i hakmerret Flamurtarit, i bën presion edhe Feronikelit

  • 28 March 2019 - 09:56
Prishtina i hakmerret Flamurtarit, i bën presion edhe Feronikelit

Bardhekaltrit i afrohen në pesë pikë liderit të tabelës

Me këtë fitore Prishtina sikur i ka bërë presion Feronikelit që është në pozitën e parë duke iu afruar në pesë pikë. Të besuarit Mirel Josës e dominuan fillim e mbarim Flamurtarin, teksa në 16 tentime realizuan tre gola, për të marrë tre pikët e radhës

Skuadra e Mirel Josës, Prishtina e ka mbyllur me sukses ndeshjen e mbetur të javës së 23-të në Ipko Superligën e Kosovës, derisa në stadiumin “Fadil Vokrri” shtëpi i ka mposhtur në derbin e kryeqytetet Flamurtarin me rezultat 3:0. Me këtë fitore Prishtina sikur i ka bërë presion Feronikelit që është në pozitën e parë duke iu afruar në pesë pikë.

Të besuarit Mirel Josës e dominuan fillim e mbarim ndeshjen, teksa në 16 goditje realizuan tre gola, për të marrë tre pikët e radhës. Meriton Korenica me dy gola dhe Mario Morina me një tjetër ishin shënuesit e fitores së Prishtinës e cila në njëfarë formë u cilësua edhe si hakmarrje për humbjen që i kishin shkaktuar kuqezinjtë në javën e 18-të. Kështu kryeqytetasit bardhekaltër tani afrohen sërish në pesë pikë afër liderit Feronikeli, ndërkohë që Flamurtari mbetet në zonën e barazhit.

Vendosi pjesa e parë

Prishtina duke e pasur parasysh se pikët janë tejet të nevojshme dhe çdo rezultat tjetër përveç fitores e largon nga lufta për titull, takimin e ka nisur furishëm duke i bërë presion të jashtëzakonshëm skuadrës së Flamurtarit e cila dorën në zemër këtë herë nuk u tregua rival i madh i bardhekaltrëve. Serinë e golave e hapi Meriton Korenica në minutën e 16-të dhe ky ishte sinjal se Prishtina e ka marrë shumë seriozisht këtë ndeshje. Nuk vonoi shumë dhe epërsinë në 2:0 e ngriti Mario Morina, në minutën e 22-të, derisa rezultatin përfundimtar e vulosi ai që i zhbllokoi shifrat, Korenica, me golin e shënuar në minutën e 56-të. “Mundësia na u dha shumë herët pasi që e zhbllokuam rezultatin, ndërkohë goli i dytë ofroi sigurinë.

Nga mënyra se si u zhvillua ndeshja ne është dashur ta godasim kundërshtarin më momente të caktuara. Flamurtari nuk na krijoi shumë telashe, por kjo edhe falë kujdesit që ne patëm. Jam i kënaqur në përgjithësi, por kampionati vazhdon ende.

Kemi ndeshje të ngjeshura dhe do shikojmë për të pasur vazhdimësinë”, ka thënë trajneri i Prishtinës, Mirel Josa i cili ka kërkuar nga lojtarët të jenë të vëmendshëm në të gjitha ndeshjet dhe asnjë mos ta marrin të lehtë. “Nëse futbollistët gjejnë gjuhën e përbashkët brenda fushës, ashtu siç kërkoj unë të luajnë, atëherë gjërat do të jenë më të thjeshta”, ka përfunduar Josa.

Thaqi arsyetohet te mungesat

Trajneri i Flamurtarit, Arsim Thaqi është ndarë i zhgënjyer me rezultatin e ndeshjes derisa ka thënë se ekipi i tij nuk kishte mundësi të bënte më shumë pasi kishte mungesa të veçuara. Gjithsesi, Thaqi e ka pranuar se Prishtina për momentin është ekip më i mirë sesa Flamurtari. “Në pikat ku Prishtina cilësohet si shumë më e fortë ne në ato pika kishim mungesa.

U munduam të mbulojmë mungesat e Lorik Maxhunit dhe Gentrit Dumanit, por nuk ja dolëm dhe Prishtina na ndëshkoi pikërisht nga krahët”, deklaroi Thaqi. “Prishtina është ekip me cilësorë se ne dhe këtë duhet pranuar. Ndoshta edhe presioni i pikëve e ka bërë të vetën pasi që gjendemi në pozitë jo shumë të mirë në renditjen tabelare dhe kjo ka bërë që ne të mos jemi ekip që është dashur të jemi”, përfundoi Thaqi, skuadra e së cilit ndeshjet e radhës nuk mund t’i pres aspak e qetë pasi është në një zonë shumë të rrezikshme për largim nga liga.

(Kosova Sot)