Spanja 'njeh' Kosovën

  • 28 March 2019 - 10:30
Spanja 'njeh' Kosovën

Shteti i Spanjës e ka ndalur diskriminimin ndaj sportistëve kosovarë, duke lejuar që simbolet shtetërore të lejohen në Kampionatin e 54-të Evropian të karatesë, që nis sot në qytetin Guadalajarës.

Në foton e publikuar nga Komiteti Olimpik shihet flamuri i Kosovës i vendosur përkrahë flamurëve të shteteve të tjera, që po marrin pjesë në Evropian.

Vlerona Shala (kata), Albulena Gërvalla (-55 kg), Fortesa Orana (+68 kg), Argjend Berjani (kata), Orges Arifi (-60 kg), Ylli Cenaj (-67 kg), Elhami Shabani (-75 kg), Alvin Karaqi (-84 kg), Herolind Nishevci (+84 kg), do të kërkojnë medalje në këtë kampionat, ndërsa në kumite Kosova përfaqësohet me: Nishevcin, Arifin, Cenajn, Karaqin, Shabanin, si dhe Blodin Pakashticën.

Përkundër problemeve që më parë ia kishte shkaktuar Kosovës, Federata Spanjolle e Karatesë kishte bërë të ditur se Kosova do të garojë si e barabartë me të gjitha kombëtaret e tjera që marrin pjesë në Evropian.

Image

Kosova, pavarësia e së cilës nuk njihet nga Spanja, nuk ishte lejuar të marrë pjesë në Botërorin e Karatesë në nëntorin e kaluar, që u mbajt në Madrid. Pas kësaj, Komiteti Olimpik i Karatesë e kishte kërcënuar Spanjën se nuk do të ketë mundësi të organizojë gara të tjera nëse nuk e lejon Kosovën të marrë pjesë me simbole shtetërore.

Sipas të përditshmes spanjolle, Sport, për këtë arsye, qeveria spanjolle u detyra ta zgjidhë këtë problem dhe së bashku me presidentin gjerman të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, arritën marrëveshje për ta lejuar Kosovën të garojë me simbole shtetërore.

(Kosova Sot)