Man Unitedi i bën gati 200 milionë euro për treshen angleze

  • 28 March 2019 - 10:31
Man Unitedi i bën gati 200 milionë euro për treshen angleze

Manchester Unitedi besohet se është duke u përgatitur për t’i transferuar tre futbollistë të rinj anglezë, Declan Rice, Jadon Sanchon dhe Aaron Wan-Bissakan, gjatë afatit kalimtar të verës.

Sipas të përditshmes angleze, The Sun, Ole Gunnar Solskjaer i ka identifikuar Declan Ricen, Jadon Sanchon dhe Aaron Wan-Bissakan si lojtarët që dëshiron t’i marrë në skuadrën e tij, transmeton Gazeta Express.

Edhe pse të tre këta futbollistë janë ende të rinj, trajneri norvegjez dëshiron ta krijojë shtyllën e skuadrën së tij me lojtarë të talentuar anglezë. Për ta arritur këtë qëllim, “Djajtë e kuq” do të duhet t’i shpenzojnë deri në 200 milionë euro.

Edhe Rice, edhe Sancho kanë debutuar së fundi me ekipin kombëtar të Anglisë, ndërsa Wan-Bissaka është ende duke luajtur për ekipin kombëtar U-21.

Sulmuesi i Dortmundit, Sancho, më herët ishte pjesë e rivalit të Man Unitedit, Manchester Cityt. Ai u largua nga klubi anglez në vitin 2017 dhe që nga atëherë e ka dëshmuar veten në Bundesligë.


Jadon Sancho
Rice ka qenë njëri ndër lojtarët më të rëndësishëm për West Hamin këtë sezon dhe mesfushori defansiv së fundi e shkëmbeu Kombëtaren e Irlandës me atë të Anglisë. Së fundi, atij iu dha mundësia të debutojë për “Tre Luanët” nën drejtimin e Gareth Southgate.


Declan Rice
 Në anën tjetër, Crystal Palace besohet se do ta ketë edhe më të vështirë se dy klubet paraprake për ta mbajtur yllin e skuadrës, pasi që Wan-Bissaka është duke e pasur përsëri një sezon mbresëlënës në Selhurst Park.


Aaron Wan-Bissaka
Solskjaer është për momentin trajner në detyrë, mirëpo së shpejti pritet të nënshkruajë kontratë me Manchester Unitedin, pasi i ka fituar 14 nga 19 ndeshje e zhvilluara që nga shkarkimi i Jose Mourinhos. 

(Kosova Sot)