Solskjaer premton blerje: “Do të bëjmë biznes”

  • 28 March 2019 - 21:02
Solskjaer premton blerje: “Do të bëjmë biznes”

Ole Gunnar Solskjaer ka premtuar se Manchester United do të nisë nga tani të punojë në blerjen e lojtarëve gjatë verës, pasi u konfirmuar si trajner i përhershëm i “Djajve të kuq”.

Unitedi konfirmoi të enjten se Solskjaer ka nënshkruar kontratë tri vjeçare me klubin tre muaj pasi mori përkohësisht skuadrën pas shkarkimit të Jose Mourinhos.

14 fitore në 19 ndeshje, e kanë bindur klubin anglez për t’ia besuar këtë punë Solskjaerit, i cili udhëhoqi Man Unitedin drejt rikthimit historik kundër Paris Saint Germainit në Ligën e Kampionëve.

Solskjaer ka treguar se tashmë ka nisur të mendojë për lojtarët që dëshiron t’i sjellë në skuadër për sezonin 2019/20.

“Kur u emërova në stolin e Unitedit, ishim 11 pikë prapa vendit të katërt. Tani kemi shanse të mira që të mbetemi në top katërshe, madje në top tri”, tha ai.

“Kemi diskutuar se si të vazhdojmë para. Nuk është se kemi vendosur për kaq para të shpenzojmë apo për X lojtarin, por tani është më e qartë se çfarë duam. Do të bëjmë biznes gjatë verës”. “Është folur e shkruar për shumë lojtarë, shumë agjentë janë në bisedim me administratën tonë që duan të vijnë këtu. Shpresojmë që të vendosim çfarë të bëjmë para para-sezonit, sepse i duam ata këtu me kohë”.

(Kosova Sot)