Superliga dhe Kombëtarja, dallimi si nata me ditë

  • 29 March 2019 - 10:13
Superliga dhe Kombëtarja, dallimi si nata me ditë

Kosova ka talente, por jo mjaftueshëm sa të bëhen pjesë të Kombëtares
 

“Duhet kohë dhe strategji e planifikuar saktë me objektiv të qartë për të zënë hapin dhe ecurinë e Kombëtares. Duhet qenë realistë se duhet përmirësuar shumë gjëra dhe pastaj të kemi durim për të pritur frytet. Për momentin, e kemi vetëm talentin, ndërsa në fazat të tjera jemi bukur mbrapa”, ka thënë për gazetën “Kosova Sot”, trajneri mitrovicas, Gani Sejdiu

Kombëtarja e Kosovës e ka befasuar gjithë botën me paraqitjen spektakolare që bëri në dy ndeshjet e marsit, ku u ballafaqua me Danimarkën dhe Bullgarinë. Ecuria e Kosovës po cilësohet me hapa gjigantë, derisa analistët e futbollit të Kosovës ndihen krenarë me këtë ecuri. Gjithsesi, ata shqetësimin e kanë me futbollin vendor. Sipas tyre, dallimi mes Superligës dhe Kombëtares së Kosovës është si nata me ditë, që i bie se futbollistët e Superligës, edhe për një kohë të gjatë nuk mund të synojnë të jenë pjesë e Kombëtares.

Se si ka ecur Kosova, dëshmon një dokumentar i televizionit amerikan të sportit, ESPN, i cili i ka kushtuar një storie të veçantë derisa përmend yllin e Kosovës Arbër Zenelin, të cilin e vlerëson si një lojtar tejet potencial. “Sapo e merr topin Arbër Zeneli, ajri mbushet me elektricitet. Kjo nuk është aspak e pazakontë: Anësori i majtë është njëri ndër lojtarët që e ngre Kosovën mbi mesatare dhe, pikërisht kur kishte nevojë, ai e bëri këtë gjë përsëri”, shkruan ESPN. “Askush nuk do të kishte guxuar të sugjeronte para pesë vjetëve se Kosova, një shtet i shkatërruar nga lufta që e kishte shpallur pavarësinë në vitin 2008, do ta prodhonte njërin prej lojërave më të mira të futbollit në Evropë”, ka shkruar ESPN.

Sejdiu: Duhet kohë dhe strategji për ta zënë hapin e Kosovës

Njëri nga trajnerët me të njohur në Kosovë, Gani Sejdiu e pranon se Kosova ka ecur më hapa të mëdhenj në ngritje të cilësisë, derisa ka thënë se Superliga në këtë aspekt qëndron bukur mbrapa. Sipas tij, duhet kohë dhe punë për të arritur atje ku po pretendojmë. “Duhet kohë dhe strategji të planifikuar saktë me objektiv të qartë për të zënë hapin dhe ecurinë e Kombëtares”, ka thënë për gazetën “Kosova Sot” Gani Sejdiu, i cili e pranon se ka shumë vend për përmirësim. “Duhet të jemi realistë se duhet përmirësuar shumë gjëra dhe pastaj të kemi durim për të pritur frytet. Për momentin, e kemi vetëm talentin si faktor kyç, por pastaj në fazën tjetër ku në atë talente duhet investuar në të gjitha aspektet ende nuk jemi në nivelin e duhur dhe me strategji të duhur”, ka vlerësuar Sejdiu.

Po mungon vizioni

Sipas teknikut mitrovicas, klubet në Kosovë kanë shumë probleme për ta menaxhuar skuadrën kjo pasi ka kosto të madhe financiare, dhe është e kuptueshme, megjithatë ato duhet në ndryshojnë qasje dhe të kenë vizion për të ardhmen. “Klubet, pavarësisht vështirësive që kanë për të menaxhuar një klub, ato duhet që të mendojnë me një vizion për të ardhmen, duke bërë projekte afatgjata në punën më të rinjtë, normal duke i realizuar edhe projektet afatshkurta apo afatmesme me ekipet e para”, ka përfunduar Gani Sejdiu.

(Kosova Sot)