“Bale e flet spanjishten në mënyrë të përsosur, por ka turp të flasë”

  • 29 March 2019 - 10:38
“Bale e flet spanjishten në mënyrë të përsosur, por ka turp të flasë”

Bashkëlojtarët në Real Madrid, si Marcelo, kishin sugjeruar se Gareth Bale ka probleme me spanjishten, mirëpo Alvaro Odriozola insiston se kjo gjë nuk është e vërtetë.

Alvaro Odriozola i ka dalur në mbrojtje bashkëlojtarit të tij në Real Madrid, Gareth Bale, duke i mohuar lajmet se anësori uellsian është i vetmuar në zhveshtoren e klubit madrilen.

Bale i ka ngritur katër tituj të Ligës së Kampionëve që kur u transferua te “Los Blancos” nga Tottenham, për një shumë që në vitin 2013 e kishte bërë atë lojtarin më të shtrenjtë në botë.

Por, e ardhmja e tij në Real Madrid është vënë në dyshim këtë sezon, mes spekulimeve se ai është i vetmuar brenda klubit dhe e ka pasur shumë të vështirë të përshtatet me jetën në Spanjë.

Mbrojtësi brazilian Marcelo e kishte përqeshur Bale në një intervistë për spanjishten e tij, duke pretenduar se ata komunikojnë me gjeste dhe mimika pasi që uellsiani ende nuk e ka mësuar spanjishten, as pas gjashtë vjetëve në Madrid.

Por, Odriozola beson se personaliteti i marrshëm i Bale është arsyeja pse Bale nuk flet shumë, e jo mungesa e njohurisë së gjuhës spanjolle.

“Ai më duket mirë mua. Kundër Celtas, ai e bëri një paraqitje të mrekullueshme. Ai punoi shumë dhe është tejet i motivuar. Ai flet spanjisht në mënyrë të përsosur, por ka turp ta përdorë atë. Mua më duket normale kjo gjë”, ka thënë Odriozola.

“Unë flas me të edhe në spanjisht, edhe në anglisht, pa asnjë dallim. Dhe e shoh se përkushtimi i tij ndaj klubit është i plotë. Ai është një fanatik i Real Madrid dhe ka dhënë gjithçka për klubin”.

“Ai është lojtar i mrekullueshëm, as nuk kam nevojë ta them këtë gjë. Shpejtësia, fuqia dhe saktësia e tij para portës… më pëlqen ai shumë”.

Bale i ka përjetuar disa lëndime gjatë viteve të fundit, të cilat kanë ndikuar që ai ta ketë të vështirë ta fitojë një vend në formacionin e parë. Mirëpo, Odriozola insiston se uellsiani është njëri ndër lojtarët që punojnë më së shumti nga skuadra.

“Askush nuk i zgjedh lëndimet. Ka disa lojtarë të cilët lëndohen më shumë, e disa të tjerë lëndohen më pak. Por, ai punon jashtëzakonisht shumë dhe kujdeset për veten”, shtoi mbrojtësi anësor i “Los Blancos”.

Real Madridi do të kthehet në Santiago Bernabeu këtë fundjavë, të dielën, kur do ta zhvillojnë ndeshjen e La Ligës kundër Huescas.

Skuadra e Zinedine Zidane radhitet në pozitën e tretë, 12 pikë larg lideres, Barcelonës, me dhjetë ndeshje të mbetura deri në përfundim të sezonit. 

(Kosova Sot)