Plani i Benitezit për ta ndalur Messin që ia siguroi Liverpoolit triumfin e famshëm të 2007-s

  • 29 March 2019 - 10:45
Plani i Benitezit për ta ndalur Messin që ia siguroi Liverpoolit triumfin e famshëm të 2007-s

“Kam shumë respekt për Barcelonën, pasi që ata kanë një skuadër të mrekullueshme me një lojtar të mrekullueshëm si Lionel Messi. Ai është shumë i mirë, por unë kurrë nuk e kam shijuar atë dhe kurrë nuk do ta shijoj. Shpresoj se do të pensionohet së shpejti. Jam duke i numëruar ditët deri atëherë”.

Këto ishin fjalët e ish-lojtarit të Liverpoolit e Real Madridit, Alvaro Arbeloas, i cili foli për emisionin spanjoll “El Chiringuito” për përballjet me pesë-herë fituesin e Topit të Artë gjatë karrierës së tij.

Spanjolli u përball me Messin edhe gjatë kohës sa ishte lojtar i Liverpoolit, edhe gjatë kohës sa ishte lojtar i Real Madridit. Ai nuk ishte shpeshherë triumfues në këto përballje, mirëpo e kujton një rast kur ai fitoi kundër argjentinas, nën drejtimin e trajnerit të atëhershëm të Liverpoolit, Rafael Benitezit.

Në vitin 2007, skuadra e Benitezit arriti ta mposhtë Barcelonën në rrugën drejt finales së Ligës së Kampionëve, duke fituar me rezultat 2:1 në Camp Nou. Barcelona fitoi 1:0 në Anfield, mirëpo për shkak të epërsisë së golave të shënuara si mysafir, Liverpooli kaloi në çerekfinale.

Tani, 12 vjet më vonë, ish-mesfushori i Liverpoolit, Bolo Zenden, i cili luajti në atë ndeshje kundër Barcelona, ka zbuluar se si e kishte përdorur Benitezi Arbeloan për ta fituar atë përballje.

“Ai [Benitezi] ishte person që gjithmonë e jepte maksimumin për ta përgatitur skuadrën e tij në mënyrën më të mirë të mundshme dhe nuk i interesonte për emra. Ai luante me formacionin më të mirë të mundshëm për ta fituar një ndeshje”, ka thënë Zenden për Chronicle Live.

“Mbrojtësi ynë anësor, Alvaro Arbeloa, gjithmonë luante në pozitën e mbrojtësit të djathtë, por kundër Barcelonës ai luajti në pozitën e mbrojtësit të krahut të majë. Pse do ta vendosje mbrojtësin më të mirë të djathtë në krahun e majtë?”.

“Epo, Benitezi e bëri këtë sepse Messi po luante si anësor i djathtë dhe ai futej brenda me këmbën e tij të majtë. Po flas për atëherë sepse tani mund ta vendosësh Messin kudo që të duash”.

“Kjo na ndihmoi shumë në eliminimin e rrezikut që vinte nga Messi në ato dy ndeshje. Ai përballej në këtë mënyrë me të gjithë kundërshtarët”. 

(Kosova Sot)