Interi i do Modricin dhe Rakiticin

  • 29 March 2019 - 11:17
Interi i do Modricin dhe Rakiticin

Interi është i gatshëm të shpenzojë shumë para gjatë afatit kalimtar të kësaj vere, për ta transferuar dyshen kroate të La Ligës, mesfushorët Luka Modric dhe Ivan Rakitic, sipas Calcio Mercatos.

Ivan Rakitici besohet se së shpejti do ta humbë pozitën e tij në formacionin e parë të Barcelonës, pas transferimit të Frenkie de Jongut nga Ajaxi, i cili do t’i bashkohet skuadrës katalonase në fund të këtij sezoni.

Në anën tjetër, Modrici kishte qenë afër largimit nga Real Madridi për Interin gjatë verës së kaluar dhe gjiganti italian dëshiron ta vë në lëvizje përsëri këtë mundësi, me shpresën se këtë herë do të tregohen më të suksesshëm.

Zikaltrit kanë pasur probleme me mesfushën gjatë kohës së fundit dhe për këtë arsye drejtorët e Interit janë të gatshëm t’ia bëjnë Rakiticit të Barcelonës një ofertë të mirë, përkundër që kroati së fundi kishte bërë të ditur se dëshiron të pensionohet në Katalonjë.

Në anën tjetër, Interi do ta ketë po aq të vështirë ta bindë edhe Modricin, përkundër që për një transferim të tillë ishte spekuluar edhe vitin e kaluar, pas disa mosmarrëveshjeve mes mesfushorit kroat dhe presidentit të Real Madridit, Florentino Perezit. 

(Kosova Sot)