Conte e mbron në gjyq punën që e bëri në Chelsea

  • 29 March 2019 - 11:43
Conte e mbron në gjyq punën që e bëri në Chelsea

Antonio Conte e mbrojti punën që e bëri gjatë dy sezoneve në Chelsea dhe sqaroi se pse ai duhet t’i marrë 10.5 milionë euro si dëmshpërblim nga klubi londinez.

Trajneri italian, Antonio Conte, u shfaq para një paneli gjyqtarësh të Premierligës për ta dhënë dëshminë e tij përfundimtare, me shpresën se kjo do t’i japë fund betejës tetë mujore me Chelsean.

Sky Sports Neës raporton se avokatët do ta japin vlerësimin e tyre sot, ndërsa një panel tjetër, i përbërë prej tre personash, do ta japë vendimin përfundimtar për këtë çështje brenda 14 ditëve.

Beteja mes Chelseat dhe Contes kishte filluar menjëherë pas shkarkimit të italianit nga pozita e trajnerit. Conte pretendon se ai e meriton dëmshpërblimin prej 10.5 milionë eurosh pasi që Chelsea nuk e kishte lajmëruar atë me kohë për shkarkimin dhe ai e kishte humbur mundësinë ta merrte këtë pozitë në ndonjë klub tjetër.

Megjithatë, Chelsea pretendon se Conte e kishte shkelur kontratën me sjelljen e tij me lojtarët dhe stafin e klubit dhe për këtë arsye ai duhet të marrë dëmshpërblim më të ulët. Chelsea e thekson rastin e Diego Costas, të cilit Conte ia kishte bërë të ditur se nuk e dëshiron më në skuadër përmes një mesazhi.

Dështimi për ta arritur një marrëveshje mund të bëjë që kjo çështje të kalojë në Gjykatë të Lartë.

Për Conten është spekuluar se mund ta marrë drejtimin e disa klubeve evropiane pas largimit të tij nga Stamford Bridge, mirëpo ai ka qenë i papunësuar që nga atëherë. 

(Kosova Sot)