Besar Halimi, “margaritari” i ri i Kosovës

  • 29 March 2019 - 14:37
Besar Halimi, “margaritari” i ri i Kosovës

Besar Halimi ka folur për eksperiencën në Përfaqësuesen e Kosovës, ku gjithnjë e më shumë po bëhet dhe ndihet lojtar i rëndësishëm

Besar Halimi është bërë lojtar i rëndësishëm i Përfaqësueses së Kosovës.

Mesfushori kreativ ishte titullar në ndeshjen miqësore ndaj Danimarkës më 21 mars, ndërsa u inkuadrua në lojë në pjesën e dytë në duelin me Bullgarinë, i vlefshëm për kualifikimet e Evropianit 2020.

Futbollisti i Brondbyt ndihet i lumtur që po ka hapësira tek “Dardanët”, ndërsa beson se Verdhekaltrit mund të arrijnë dhe të bëjnë gjëra të mëdha pasi i regjistruan 12 ndeshje pa pësuar humbje.

“Ishte një eksperiencë e shkëlqyeshme. Është gjithmonë ndjenjë e mirë të luaj për ekipin kombëtar dhe është mjaft e vështirë prej këtu. Mendoj se bëmë mirë në lojën e parë kundër Danimarkës dhe Kosova mund të jetë e lumtur dhe krenare me atë performancë”, theksoi numri 8 i Kosovës për “3point.dk”.

Edhe pse po luan shpesh, ai nuk ndihet i lodhur.

“Gjithçka është në rregull. Kam fituar më shumë besim me ekipin përfaqësues dhe ndeshjet e fundit me Brondbyn kanë qenë në rregull. Prandaj, jam gjithmonë i gatshëm”, vazhdoi ai.

Halimi tash pret ta mbyllë me sukses sezonin në kampionatin danez me Brondbyn.

Ai i konsideron 10 ndeshjet e fundit të sezonit si finale, duke shpresuar që kjo skuadër ta fitojë ndonjë trofe në fund të edicionit. 

(Kosova Sot)