Fundjavë që mund të zbardhë fatin e kampionatit

  • 30 March 2019 - 09:16
Fundjavë që mund të zbardhë fatin e kampionatit

Prishtina assesi nuk guxon të humbasë ndaj Ballkanit 

E gjithë vëmendja këtë vikend do të jetë në Prishtinë e Therandë, aty ku udhëtojnë dy skuadrat që po cilësohen si pretendente për titull të kampionit, Feronikeli e Prishtina. Skuadra nga Drenasi do të jetë mysafire e Flamurtarit, derisa Prishtina mysafire e Ballkanit

P as përfundimit të ndeshjeve të kombëtareve, këtë fundjavë rikthehet elita e futbollit të Kosovës, fundjavë kjo që mund të zbardhë shumëçka sa i përket titullit të kampionit.

E gjithë vëmendja do të jetë në Prishtinë e Therandë, aty ku udhëtojnë dy skuadrat që po cilësohen si pretendente për titull të kampionit, Feronikeli e Prishtina. Skuadra nga Drenasi do të jetë mysafire e Flamurtarit, derisa Prishtina mysafire e Ballkanit. Për Prishtinën vetëm fitorja vlen, ndryshe edhe mund ta humbasë luftën për titullin e kampionit. Përballje shumë interesante këtë javë janë edhe disa ballafaqime të skuadrave që po luftojnë për mbijetesës. Gjithsesi, punën më të lehtë këtë vikend e ka Drenica, e cila ndeshet me KEK-un dhe në rast të fitores së Drenicës, atëherë pozicionimi i saj në tabelë do të jetë shumë më i mirë. Udhëtime të vështira për "Niklin" e Prishtinën Flamurtari nëse dëshiron përfundimisht t'i presë ndeshjet e ardhshme shumë më i qetë, medoemos duhet të marrë pikë ndaj Feronikelit të dielën në sfidën që luhet në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë. Humbja e Lirisë dhe Ferizajt është një rast i mirë për Flamurtarin, i cili synon të thellojë diferencën në pikë në mënyrë që sfidat e radhës t'i pres nga një pozicion shumë më i mirë në tabelë. Në anën tjetër Feronikeli drejt Prishtinës udhëton me vetëm një qëllim, fitoren, ndryshe rrezikon shumë ta humbasë vendin e parë.

Kjo edhe është arsyeja të pritet një ndeshje e fortë dhe e luftuar shumë deri në minutën e fundit. Kjo është përballja e vetme që luhet nga ora 17:00, pasi gjitha sfidat tjera zhvillohet në ora 14:00. Një sfidë gjithashtu e vështirë dhe e nxehtë pritet të zhvillohet në Therandë, ku Ballkani e pret Prishtinën. Për Ballkanin pikët janë shumë të nevojshme në luftë për mbijetesë, derisa Prishtina assesi nuk guxon të humbasë ndryshe e humb edhe luftën për titull. Trajneri i Prishtinës, Mirel Josa, ka thënë se nga kjo ndeshje varet edhe e ardhmja e kampionatit, pasi ai dëshiron një Prishtinë, ashtu siç ishte në sfidën ndaj Flamurtarit. Rasti për Gjilanin Një ndeshje shumë interesante pritet të luhet në Gjilan, ku ndeshen Gjilani e Trepça'89. Edhe pse këto dy skuadra njihen si rivale që luftojnë për trofe, në këtë kampionat gjërat duken ndryshe. Si Gjilani ashtu edhe Trepça'89 këtë edicion synim e kanë mbijetesën, kjo pasi po kanë telashe me rezultate. Se kush do të ngadhënjej mbetët të shihet, por është e sigurt se lufta nuk do të mungojë. Njëra nga sfidat më të lehta për t'u deshifruar është ajo në Kastriot, që zhvillohet ndërmjet KEK-ut e Drenicës. Skuadra e KEK-ut nuk po duket skuadër që mund t'i rivalizojë shumë kundërshtarët e elitës, kështu që me të drejtë pritet fitore e Drenicës, e cila ka shumë nevojë për pikë në mënyrë që të stabilizohet në mesin e tabelës.

(Kosova Sot)