Man Unitedi fiton dhe e rimerr pozitën e katërt në Premierligë

  • 30 March 2019 - 18:25
Man Unitedi fiton dhe e rimerr pozitën e katërt në Premierligë

Manchester Unitedi ka shënuar fitore me rezultat 2:1 në ndeshjen kundër Watfordit në “Old Trafford”, e vlefshme për xhiron e 32-të të Premierligës”.

Ole Gunnar Solskjaer i ka fituar tri pikët e para që kur u zyrtarizua trajner permanent i klubit. Norvegjezi e kishte filluar edhe punën si trajner i përkohshëm në të njëjtën mënyrë, me fitore.

Megjithatë, fitorja 2:1 kundër Watfordit nuk ishte edhe aq mbresëlënëse sa ndeshja e parë e Solskjaerit me “Djajtë e kuq”, pasi që mysafirët e dominuan ndeshjen gjatë pjesës më të madhe të 90 minutave.

Mirëpo, saktësia para portës ishte dallimi mes dy skuadrave. Djelmoshat e Solskjaerit i shfrytëzuan mundësitë që i patën dhe e fituan ndeshjen, për dallim nga kundërshtarët e tyre që e dominuan topin por nuk arritën të jenë shumë të saktë në përballjet me David De Gean.

Golin e parë të ndeshjes e shënoi Marcus Rashfordi në minutën e 28-të, ndërsa Anthony Martial e dyfishoi epërsinë në minutën e 73-të. Golin e vetëm për Watfordit në këtë ndeshje arriti ta shënojë Abdoulaye Doucoure.

Kjo fitore është shumë e rëndësishme për “Djajtë e kuq”, pasi që me këto tri pikë Manchester Unitedi kthehet në pozitën e katërt në tabelën e Premierligës, edhe pse me një ndeshje më shumë të zhvilluar se Arsenali e Chelsea.

(Kosova Sot)