Pse ndodh shuarja e klubeve?

  • 31 March 2019 - 09:07
Pse ndodh shuarja e klubeve?

Problemet financiare i shoqërojnë shumë ekipe në Kosovë

Pasluftës në Kosovë janë shuar klube sportive, derisa arsyet financiare ishin kryesore që nuk kanë arritur të funksionojnë. Madje, me këtë problem përballen edhe sot shumë klube, derisa e kanë shumë vështirë të gjejnë donatorë, pasi edhe Ligji për Sponsorizime ka mbetur vetëm në letër dhe nuk po funksionalizohet

Problemi financiar mbetet njëri nga kryesorët në sportin e Kosovës. Me këtë problem përballen klubet dhe sportistët. Shumë klube nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje dhe si pasojë e kësaj janë shuar. Pasluftës janë shuar shumë klube sportive në Kosovë, pikërisht për shkak të këtij problemi.

Shpenzimet janë të mëdha dhe nuk mund të funksionojnë me një buxhet të vogël. Përkundër dëshirës së madhe dhe pasionit të madh për sportin, shumë klube janë ‘dorëzuar’ përballë këtij fenomeni, kurse edhe sot e kësaj dite, ka shumë punëtorë sportivë që punojnë pa pagesë ose me rroga minimale, vetëm për shkak të dashurisë së madhe për sportin.

Shpenzimet janë të larta

Alban Dobroshi, ka qenë pjesë e shumë skuadrave të hendbollit dhe ka përjetuar shumë gjëra. Nga pagesat e larta, e deri tek vonesat në paga, kurse tashmë punon me fëmijët sa i përket anës kondicionale. Ai thotë se shpenzimet e klubeve janë shumë të mëdha.

“Shumica e klubeve në Kosovë sponsorizohen nga Komunat, mirëpo, buxhet i klubeve duhet të jetë aq i madh, saqë komunat nuk kanë mundësi që t’i mbulojnë të gjitha obligimet e klubeve. Për shembull, sportet që me më shumë shpenzime janë futbolli, basketbolli, hendbolli e volejbolli, pra sportet kolektive që janë shumë masovike. Tani jemi të pranuar në arenën ndërkombëtare me të drejta të plota në të gjitha sportet, ku edhe shpenzimet janë të mëdha, që gjë komunat kanë mundësi që t’iu mbulojnë të gjitha sportet të cilat bëjnë gara në arenën ndërkombëtare. Për këtë arsye vjen deri te shuarja e klubeve.

Të gjithë sponsorët të cilët i kanë sponsorizuar deri më tani, kanë bërë vullnetarisht një pjesë të tyre në mënyrë që të ndihmojnë sportin e Kosovës dhe t’i ndihmojnë sportistët, derisa pjesa tjetër e kanë bërë për të reklamuar firmën e tyre”, është shprehur Alban Dobroshi për gazetën “Kosova Sot”.

Nuk shpenzojnë në akademi

Por, shpesh herë, klubet kanë bërë shpenzime të mëdha dhe që ato nuk janë kthyer, duke shkuar në bazë të një strategjie afatshkurte. Klubet kanë menduar më shumë për titullin, sesa për të ardhmen. “Të gjitha klubet private të cilat në fillim kanë nisur me vrull që për një apo dy vite kanë menduar që të rrëmbejnë titullin e kampionit dhe mandej kanë menduar se do t’iu kthehen të gjitha shpenzimet që i kanë bërë, kanë gabuar shumë.

Arsyeja është se, është dashur që në radhë të parë të hapin një Akademi të Klubit e të nxjerrin talente, e të punohet në mënyrë profesionale, prej fatosëve, kadetëve, juniorëve e deri te seniorët. Në fillim janë kandidat për titullin e kampionit, pastaj mendojnë që një ose dy lojtarë cilësorë që i kanë t’i shesin dhe t’i kthejnë paratë që i kanë investuar sponsorët.

Kjo nuk funksionon në këtë mënyrë, pasi duhet të mendohet më shumë për të ardhmen. Së fundi është miratuar Ligji për Sport, ku fatmirësisht të gjithë sponsorizuesit që investojnë në klube kanë lehtësime në tatime, megjithatë, Ligji duhet të funksionalizohet dhe të mos mbetet vetëm në letër, sepse u ndihmon shumë klubeve, madje, është shpëtimi i vetëm i tyre”, ka shtuar tutje Alban Dobroshi për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)