Në mungesë të minutave Zhegrova merr urim për ditëlindje nga Baseli

  • 31 March 2019 - 11:49
Në mungesë të minutave Zhegrova merr urim për ditëlindje nga Baseli

Edon Zhegrova nuk po kalon momente të lumtura te klubi i tij i ri, por Baseli të paktën është përkujdesur t’ia urojë ditëlindjen kosovarit.

Ylli i ekipit kombëtar të Kosovës Edon Zhegrova i ka mbushur 20 vjet sot, dhe në mesin e atyre që e kanë uruar është edhe Baseli, klubi ku anësori luan si lojtar i huazuar.

“Numri 30 i ekipit tonë i mbush 20 vjet sot. Urime ditëlindjen, Edon Zhegrova!” shkroi Baseli në llogarinë e vet zyrtare në Twitter.

Zhegrova iu bashkua gjigantit zviceran në fillim të shkurtit nga klubi i tij Genk, ku do të qëndrojë i huazuar deri në 30 qershor. Baseli ka mundësinë për ta blerë kosovarin në përfundim të huazimit të tij, megjithatë.

Por, që prej transferimit të tij, Zhegrova ka dështuar të bindë, duke regjistruar vetëm dy paraqitje nga stoli, apo 31 minuta në total, ndërsa në ndeshjen e fundit kundër Luzrenit të shtunën nuk u ftua fare.

Ai u largua nga Genku, ku po ashtu nuk luante dhe ishte lënë jashtë skuadrës plot 15 herë, me qëllim që të gjente hapësirë në Basel.

Me gjithë mungesën e paraqitjeve te Genku dhe më pas Baseli, Zhegrova është ftuar vazhdimisht në Kombëtaren e Kosovës nga Bernard Challandes.

Por, dy paraqitjet e tij nga stoli në dy ndeshjet e fundit të Kosovës, kundër Danimarkës në një miqësore më 21 mars dhe kundër Bullgarisë vetëm katër ditë më vonë në ndeshjen hapëse të verdhekaltërve në Grupin A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020, i sollën vetëm kritika atij edhe pse trajneri Challandes e mbrojti. 

Image

(Kosova Sot)