Salihi “var këpucët”, luan 52 minuta në ndeshjen e lamtumirës

  • 31 March 2019 - 18:30
Salihi “var këpucët”, luan 52 minuta në ndeshjen e lamtumirës

Për çdo sportist vjen një moment kur duhet të thotë mjaft dhe të lërë karrierën e tij. E shtuna ishte dita e sulmuesit shqiptar, një ndër më të mirëve në futbollin tonë, Hamdi Salihit, i cili i tha përfundimisht lamtumirë futbollit të luajtur.

Ashtu sikurse kishte bërë të ditur ditë më parë, ndeshja e fundit e Salihit në karrierën e tij ishte pikërisht ajo mes Wiener Neustadt dhe Wacker Innsbruk, një sfidë ku shkodrani u aktivizua si titullar për 52 minuta për të lënë më pas fushën e lojës mes duartrokitjeve të publikut.

Karriera e Hamdi Salihit është vërtet për t’u pasur zili nga secili prej futbollistëve në Shqipëri. Salihi ka veshur fanellat e klubeve të tillë si Vllaznia, Tirana e Skënderbeu në vendin tonë, ndërkohë që në arenën ndërkombëtare ka luajtur për klube si Rapidi i Vjenës, Riedi, Panionios apo edhe DC United në SHBA.

Statistikat e Hamdi Salihit janë vërtet impresionuese, me shkodranin që në rang klubesh ka zhvilluar 554 ndeshje gjatë karrierës së tij si futbollist profesionist me 298 gola të shënuar.

Kontributi i tij është parë edhe në sfidat e kombëtares shqiptare, fanelën e së cilës e ka veshur 50 herë në 9 vjet duke shënuar edhe 11 gola, ku kujtohen më shumë goli i shënuar në Norvegji duke i dhënë fitoren përfaqësueses kuqezi dhe ai me roveshatë në sfidën miqësore me Malin e Zi.

(Kosova Sot)