Mourinho: Më mungon puna e trajnerit

  • 02 April 2019 - 09:36
Mourinho: Më mungon puna e trajnerit

Ish-trajneri i Manchester Unitedit është duke shpresuar se do ta ketë mundësinë ta drejtojë ndonjë klub sezoni e ardhshëm, mirëpo ka bërë të ditur se nuk do të pranojë çfarëdo oferte.

Jose Mourinho e ka pranuar se atij i mungon puna e trajnerit, mirëpo premton se do të kthehet sezonin e radhës vetëm nëse e gjen klubin dhe ligën e duhur për ta motivuar atë.

Mourinho ka qenë i papunësuar që nga 18 dhjetori, kur u shkarkua nga Manchester Unitedi pas dy sezoneve e gjysmë në Old Trafford, ku e kishte fituar titullin e Europa League dhe të League Cup me “Djajtë e kuq”.

Që nga atëherë, trajneri portugez ka qenë duke punuar si analist dhe komentues në BeIN Sports. Gjatë kësaj kohe, ai është përfolur se ka qenë afër marrjes së një detyre tjetër, prej të cilave ishte edhe pozita e trajnerit në Real Madrid.

Megjithatë, riemërimi i Zinedine Zidanit në këtë pozitë të gjigantit spanjoll e pamundësoi këtë gjë dhe la dyshime se ku mund të përfundojë Mourinho, nëse dëshiron t’i kthehet karrierës së tij si trajner sezonin e ardhshëm.

Vetë portugezi ka folur për të ardhmen e tij në një forum të trajnerëve në Portugali, duke e pranuar se i mungon kjo punë dhe se shpreson të kthehet sezonin e ardhshëm.

“Nuk jam duke vuajtur sepse nuk jam trajner i ndonjë klubi. Kam kohë për të menduar për gjëra të tjera. Por, sinqerisht, do të më pëlqente të kthehesha sezonin e ardhshëm”, është shprehur Mourinho.

“Unë kam vendosur të mos e marrë drejtimin e asnjë klubi deri sezonin e ardhshëm dhe do të kthehem vetëm nëse gjej ndonjë klub dhe kampionat që më motivon”.

Përderisa Mourinho nuk tregoi se drejtimin e cilit klub do të dëshironte ta merrte sezonin e ardhshëm, ai e pranoi se është i interesuar të bëhet trajner i ekipit kombëtar të Portugalisë ndonjë ditë. 

(Kosova Sot)