Hashani: Kombëtarja po ia ndreq imazhin vendit

  • 02 April 2019 - 10:32
Hashani: Kombëtarja po ia ndreq imazhin vendit

Politikanët të investojnë në futboll e jo vetëm ta mbështesin në stadium kombëtaren

"Gjithë këto probleme që i ka Kosova, mirëpo është sporti, në këtë rast futbolli, që po i jep jehonë këtij vendi të vogël, por me njerëz të mëdhenj. Për këtë arsye, politikanët që udhëheqin shtetin duhet të investojnë më shumë në futboll dhe sigurisht me investime unë besoj që edhe kampionati do të ketë ngritje", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" Erdin Hashani

Kombëtarja e Kosovës ka bërë që për dy javë bota të flasë për Kosovën, duke ndikuar maksimalisht në ngritjen e imazhit të këtij vendi, i cili duhet pranuar që kohët e fundit është njohur më shumë për korrupsion, krim të organizuar e shumë gjëra të tjera negative. Kombëtarja e Kosovës në futboll ishte ajo që i tregoi Botës se ky vend mund t'i japë shumë kontinentit të vjetër. Gjithsesi, ajo që është shqetësuese për analistët është fakti që kampionati vendor nuk po mund të ecë me hapat e kombëtares. Derisa Kosova solli rezultate të jashtëzakonshme në garat ndërkombëtare, duke fituar fillimisht Ligën e Kombeve dhe startin shumë të mirë në eliminatoret për Kampionatin Evropian, klubet janë ato që nuk po shkëlqejnë në Evropë. Jemi në vitin e tretë që futbolli ynë do të prezantohet në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës, por ja që përfaqësimi atje nuk përkon me përfaqësimin e Kombëtares së Kosovës.

"Politikanët që udhëheqin shtetin duhet të investojnë më shumë në futboll dhe sigurisht me investime unë mendoj që edhe kampionati vendor do të ketë ngritje", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" Erdin Hashani. Duhen investime "Është shumë me rëndësi që kombëtarja ka ecur me hapa të mëdhenj, sepse tash jemi bërë ose kisha më thënë po flasin gjithë bota për Kosovën se si kemi arritur që në Ligën e Kombeve të dalim në vendin e parë në grup. Kjo është e mirë për gjithë ne, sepse është një sinjal i mirë për gjithë politikanët që të investohet në sport, e posaçërisht në futboll, sepse gjithë këto probleme që i ka Kosova është sporti, në këtë rast futbolli, që po i jep jehonë këtij vendi të vogël, por me njerëz të mëdhenj, po e them këtë sepse duhet më shumë investime për futbollin, me investime unë besoj që edhe Superliga do të ketë ngritje", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" ish-futbollisti i mirënjohur, tash trajner, Erdin Hashani. Kërkohen më shumë investime Sa u përket paraqitjeve të klubeve tona në arenën ndërkombëtare, është fakt që rezultatet nuk janë edhe aq të kënaqshme, pasi duke e pasur parasysh talentin dhe dashurinë e njerëzve që kanë për futbollin, klubet duhet të bëjnë më shumë investime në mënyrë që prezantimi i klubeve tona në arenën ndërkombëtare të ngjasojë edhe me paraqitjet e kombëtares.

"Mendoj që vjet çka ka arritur Drita është një sukses, pasi tash është vetëm viti i tretë që marrim pjesë në Evropë dhe normal që na duhet kohë edhe përvojë. Mendon që shumë shpejt edhe me skuadra do të bëhemi lajme të mira nëpër botë, sikurse që po ndodhi me kombëtaren tonë", ka thënë Hashani, i cili kërkon më shumë investime nëse dëshirojmë të jemi rival të mirë në arenën ndërkombëtare. "Në futboll duhet investim dhe durim që të kesh sukses, sepse sukseset nuk mbërrijnë brenda natës. Unë mendoj që kampionati që nga paslufta e deri më tani ka qenë më interesanti edhe më i rregullti, sepse në garë për titull janë tri skuadra dhe 5 skuadra tjera po luftojnë për t'i ikur barazhit dhe njëra nga këto për t'i ikur rënies direkt nga liga hiç KEK-un që vetëm se ka rënë. Mos të harrojmë se po të kishim pak fat si Drita ashtu edhe Prishtina do të shkonin pak më larg në Evropë", vlerësoi Hashani."Tifozët e Prishtinës dhe Dritës duhet të jenë krenarë me paraqitjen në Evropë, por sigurisht që mundemi shumë më shumë të bëjmë. Besoj që këtë vit do të kemi më shumë ngritje, sepse kemi marrë pak përvojë që na ndihmon sadopak. Shpresoj të kemi edhe pak fat dhe kur kësaj t'ia shtojmë faktin se garat paraeliminatore mbahen në Prishtinë, atëherë them se kjo i rrit shumë pritshmëritë tona", ka përfunduar Erdin Hashani

(Kosova Sot)