Krenaria e Kosovës

  • 02 April 2019 - 10:56
Krenaria e Kosovës

Xhudo, karate, boks dhe mundje po i sjellin Kosovës shumë medalje

Një vend i izoluar dhe me shumë vuajtje po i gëzohet suksesit të sportistëve në arenën ndërkombëtare. Sportistët vazhdojnë të jenë ambasadorët më të mirë të Kosovës në garat ndërkombëtare, derisa nuk po mungojnë sukseset në sportet individuale, por edhe ato ekipore. Kosova ka një gjeneratë të artë, por që gjithsesi kërkohen më shumë investime 

Në një vend me shumë probleme, i izoluar dhe i vuajtur, sporti vazhdon të jetë krenaria më e madhe. Sportistët e Kosovës po vazhdojnë me suksese në arenën ndërkombëtare, duke e përfaqësuar ashtu siç duhet vendin në arenën ndërkombëtare. Futbollistët e Kosovës ishin të parët në Ligën e Kombeve, dhe i ndan dy ndeshje larg Evropiani, derisa një mundësi të artë e kanë edhe hendbollistët e Kosovës U-21 të kualifikohen në Botëror. Gjithashtu edhe basketbollistët e Prishtinës u kuali fikuan në Top-16 të FIBA Europe Cup, suksesi më i madh deri më tani për klube në arenën ndërkombëtare. Kudo flamuri i Kosovës dhe himni Si gjithmonë, sportet individuale kanë qenë shumë të suksesshme, duke fituar medaljet elitare, si në Kampionate Evropiane, Botërore dhe Lojëra Olimpike. Fundjava që lamë pas, ishte vetëm një dëshmi sesa të suksesshëm janë sportistët dhe një dëshmi e suksesit për të ardhmen. Fortesa Orana ishte e pesta në Kampionatin Evropian në karate, me vetëm një luftë larg medaljes, derisa Nora Gjakova dhe Loriana Kuka fituan medalje të artë në Grand Prix të xhudos në Gjeorgji. "Fundjavë e bukur për popullin e shtypur me shekuj. Liria e merituar për të rinjtë që i kem", u shpreh i emocionuar përzgjedhësi Driton Kuka. Gazetari shumëvjeçar i sportit vendor, Xhavit Kajtazi, thotë se këto suksese i shërbejnë jo vetëm atyre, por edhe shtetit. "Xhudisteve dhe xhudistëve të Kosovës nuk kemi nevojë më asnjëherë t'ua shohim gunën, por punën.

Me rezultatet e arritura në këto katër vjetët e fundit në rrafshin ndërkombëtar, na kanë bërë të ndihemi mirë edhe si komb, por edhe si shtet... Pas Majlindës olimpike, drejt këtyre majave po shkojnë edhe Nora, Distria, Loriana, Akili dhe shumë të tjerë, që me paraqitjet e tyre po e bëjnë piskamë botën sportive dhe jo vetëm. Kudo flamuri i Kosovës, kudo himni, të cilit do t'i rrinte mirë edhe teksti, që për fat të keq ende nuk po marrim "guximin" t'ia shtojmë për të na bërë të ndihem edhe këtu të barabartë me botën e qytetëruar. Unë mendoj se edhe ajo ditë nuk është larg dhe flamuri bashkë me himnin me tekst do t'i shoqërojnë garuesit tanë gjithandej shfaqjeve ndërkombëtare, bashkë me lotët e gëzimit... Po e them pa asnjë dyshim: xhudoja e Kosovës është shndërruar në fuqi botërore dhe njëkohësisht edhe në mburrje të vetë Federatës botërore, madje edhe të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Po duket qartë se kësaj udhe janë nisur edhe karateistët e Kosovës, të cilët po na bëjnë po ashtu të ndihemi shumë mirë. Herolindi, Elviri e Fortesa janë prijës në këtë sport, e që nuk është larg edhe çasti kur kjo treshe bashkë me të tjerët do të stolisen me medalje.

Shembulli më i freskët është vendi i pestë i Fortesa Oranës në Evropian, që me pak fat ka mundur të shndërrohet edhe në ndonjërën nga tri medaljet e kësaj shfaqjeje të rëndësishme ndërkombëtare", është shprehur Xhavit Kajtazi për gazetën "Kosova Sot". Investoni për suksese Pasi po kanë suksese në arenën ndërkombëtare, sigurisht se duhet të investohet edhe më shumë. "Kosovës tash për tash po i sjellin suksese e medalje xhudoja, karateja dhe boksi. Po shpresojmë se këtë udhë do ta ndjek edhe mundja. Pasi që edhe sukseset po shtohen dita-ditës, mendoj se duhet t'ua shpërblejmë mundin, punën dhe suksesin. Sidomos xhudos, që i meriton të gjitha, pa asnjë dyshim", është shprehur tutje Xhavit Kajtazi për gazetën "Kosova Sot".  

(Kosova Sot)