Santiago Bernabeu i ri po bëhet realitet

  • 02 April 2019 - 11:02
Santiago Bernabeu i ri po bëhet realitet

Real Madridi dhe Këshilli i Qytetit të Madridit janë të gatshëm ta vënë në lëvizje projektin për ndërtimin e “Santiago Bernabeut” të ri dhe Florentino Perez do ta mbajë sot një prezantim këtë projekt, para kryetarit të komunës, Manuela Carmenas.

Ky prezantim do të fillojë sot në orën 13:30 dhe aty do të shfaqet e gjitha puna që do të fillojë këtë verë. Puna për rinovimin e stadiumit të Real Madridit pritet t’i marrë katër vjet kohë deri në përfundim.

Për shkak se renovimet do të jenë të komplikuara dhe do të ndërhyjnë në zonat përreth stadiumit, Real Madridi e kishte pasur të vështirë të marrë leje nga qeverisësit e komunës. Megjithatë, gjatë vjetëve të fundit Florentino Perez ka punuar shumë dhe më në fund e arriti qëllimin e tij.

Projekti do të kushtojnë 500 milionë euro dhe nuk do të ketë sponsor. Për momentin, drejtuesit e Real Madridit janë duke punuar në një plan buxhetor, i cili duhet të aprovohet nga bordi i klubit në shtator.

Sipas marrëveshjes që ishte arritur më parë, Real Madridi do t’i marrë 520 milionë euro kredi dhe kjo shumë do të paguhet përgjatë 25 vjetëve të ardhshme.

Rikonstruktimi do t’i japë “Santiago Bernabeut” një kulm të lëvizshëm, pamje të re të jashtme dhe do ta rritë lartësinë e stadiumit për 12 metra. 

(Kosova Sot)