Mane e di çfarë duhet të bëjë për ta fituar titullin e Premierligës

  • 02 April 2019 - 11:14
Mane e di çfarë duhet të bëjë për ta fituar titullin e Premierligës

Liverpooli e rimori kreun e tabelës së Premierligës me fitore ndaj Tottenhamit dhe sulmuesi i tyre, Sadio Mane, beson se ata nuk duhet ta humbasin më asnjë pikë tjetër deri në fund të sezonit.

Sulmuesi i Liverpoolit, Sadio Mane, beson se mënyra e vetme që skuadra e tij ta fitojë titullin e kampionit të Premierligës është t’i fitojë të gjitha ndeshjet e mbetura deri në fund të sezonit.

“The Reds” i mbajtën gjallë shpresat për titullin e Premierligës me fitoren dramatike 2:1 kundër Tottenhamit, të dielën në Anfield. Autogoli i Toby Alderweireldit në fund të ndeshjes ia dha tri pikët e rëndësishme skuadrës së Jurgen Kloppit, që tani i ka dy pikë dhe një ndeshje më shumë se Manchester City.

Manchester City mund ta marrë kreun e Premierligës përsëri nëse fiton ndaj Cardiff Cityt të mërkurën. Megjithatë, ata do të testohen kundër Tottenhamit dhe Manchester Unitedit në prill, si dhe janë ende në garë për titullin e Ligës së Kampionëve dhe FA Cup. Liverpooli do të shpresojë se djelmoshat e Pep Guardiolës do të mbeten të lodhur nga agjenda e ngarkuar.

Nëse një gjë e tillë ndodh, Liverpooli do të mund ta shfrytëzojë mundësinë për ta fituar titullin e parë të ligës pas 29 vjetëve. Me vetëm gjashtë ndeshje të mbetura deri në fund te sezonit, Mane beson se ata duhet t’i fitojnë të gjitha pikët për t’u shpallur kampionë.

“Të jem i sinqertë, mendoj se do të na duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet. Madje as në këtë mënyrë nuk do ta kemi të lehtë. Por, ne mund ta fitojmë çdo ndeshje sepse jemi skuadër e mirë dhe luajmë shumë mirë”, ka thënë Mane.

“Është e vështirë të luash mirë për klubin pas ndeshjeve të ekipit kombëtar. Por, ne u kthyem dhe e nisëm me fitore. Mendoj se është shumë e rëndësishme kjo gjë”. 

(Kosova Sot)