Maqedonasit “sulmojnë” futbollistët shqiptarë që refuzuan Maqedoninë

  • 02 April 2019 - 11:51
Maqedonasit “sulmojnë” futbollistët shqiptarë që refuzuan Maqedoninë

Seferi është akuzuar edhe për faktin se në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Maqedonisë e kishte veshur një fanellë me mbishkrimin “Kumanova është Shqipëri”.

Maqedonasve po u dhemb fakti që deri më tani disa futbollistë shqiptarë shumë cilësorë kanë refuzuar të luajnë për vendlindjen e tyre, Maqedoninë, me qëllim që t’i bashkohen Shqipërisë.

Media e madhe sportive nga Shkupi, “Sport1.mk”, e ka bërë një listë të “tradhtarëve”, ku i ka përfshi emrat e Besir Demirit, Omar Imerit, Jasir Asanit dhe Taulant Seferit. Këtë të fundit e sheh si humbjen më të madhe për Maqedoninë ky medium.

Seferi në vitin 2017 i është bashkuar Shqipërisë U-21, ndërkohë media maqedonase kujton se Kombëtarja Maqedonase i kishte ofruar gjithçka këtij futbollisti, madje edhe vend në Kombëtaren A të Maqedonisë kur ai ishte vetëm 17-vjeç.

Për më tepër, Seferi është akuzuar edhe për faktin se në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Maqedonisë e kishte veshur një fanellë me mbishkrimin “Kumanova është Shqipëri”.

Megjithëkëtë, në përfaqësuesen maqedonase ka mjaft futbollistë shqiptarë, madje disa prej tyre janë më të dalluarit në skuadër.

Po ashtu, së fundmi kryetar i Federatës së Futbollit të Maqedonisë Veriore është zgjedhur shqiptari Muhamet Sejdini dhe vetëm pak kohë pasi ai e mori këtë pozitë, mediumi maqedonas ka dalë me “sulmin” ndaj futbollistëve shqiptarë.  

Sejdini është pyetur se për cilin shtet duhet të luajnë futbollistët shqiptarë nga vendi fqinj: Maqedoninë, Shqipërinë po Kosovën. Dhe, përgjigja e tij ka qenë se u takon lojtarëve të vendosin me zemër se për kë duhet të luajnë. 

(Kosova Sot)