Lukaku i komenton thirrjet raciste malaziasve ndaj lojtarëve të Anglisë

  • 02 April 2019 - 12:28
Lukaku i komenton thirrjet raciste malaziasve ndaj lojtarëve të Anglisë

Sulmuesi belg i Manchester Unitedit, Romelu Lukaku, beson se lojtarët e ekipit kombëtar të Anglisë duhet ta kishin lënë ndeshjen kundër Malit të Zi në gjysmë, për t’u ngritur kundër racizmit.

Fitorja 5:1 e Anglisë në stadiumin e qytetit të Podgoricës mbeti nën hijen e pretendimeve për thirrje raciste, të cilat ishin bërë në drejtim të Danny Rose dhe Callum Hudson-Odoit

Mbrojtësi i Tottenhamit, Rose, dukej se u bë viktimë e abuzimit në baza racore nga tifozët në tribunat e stadiumit, pasi u ndëshkua me karton të verdhë. Ndërsa, Hudson-Odoi pretendoi se ai ishte gjuajtur me shkrepëse nga tifozët malazezë, kur po e festonte golin e pestë të Anglisë.

Kjo bëri që dje UEFA t’i hapë hetimet ndaj Malit të Zi dhe tani ka mundësi që ndeshja e ardhshme e Kosovës, e cila do të zhvillohet në Mal të Zi, të luhet pa tifozë.

Kur u pyet për këtë incident, Lukaku tha për Sky Sports News: “Anglia duhej të ishte larguar nga ndeshja. Kështu mendoj unë personalisht, për t’u ngritur kundër racizmit”.

“E kam parë një gjë të tillë të ndodhë në disa vende dhe pastaj ekipi do të dënohej dhe gjëra të tilla. Për disa lojtarë, kjo na motivon. Por, lojtarët e tjerë mund të mbireagojnë, të bëjnë ndërhyrje të parregullta dhe pastaj mbet me një lojtar më pak”.

(Kosova Sot)