Zidane e mohon: Varane s’do të largohet

  • 02 April 2019 - 14:03
Zidane e mohon: Varane s’do të largohet

Përkundër që gjatë kohës së fundit është përfolur një largim të mundshëm të Raphael Varanes nga Real Madridi, Zinedine Zidane i ka mohuar këto spekulime.

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, ka thënë se qendërmbrojtësi francez, Raphael Varane, nuk dëshiron të largohet nga klubi madrilen, përkundër interesimit nga Manchester Unitedi e Juventusi.

Më herët ishte raportuar se Zidane kishte zbuluar se Varane dëshiron të largohet, mirëpo tani është bërë e ditur se deklaratat e trajnerit francez ishin keqkuptuar.

“Jo dhe përveç kësaj, unë nuk kam dëshirë që ai të largohet. Askush prej nesh nuk dëshiron që ai të largohet. Ai është ende i ri, ka qenë këtu që tetë vjet dhe është duke bërë punë të mirë”, ka thënë Zidane.

“Kjo është jeta, mirëpo ai më duket mirë mua. Nuk ka thënë asgjë për një largim, mirëpo nëse ju dini diçka që unë nuk di…”.

“Për mua kanë rëndësi gjërat që mi thotë mua lojtari dhe për momentin ai është në klubin më të mirë të botës. Ai ka fituar shumë gjëra këtu dhe mua më duket në rregull”.

Që nga transferimi i tij në Madrid në vitin 2011, Varane i ka fituar dy tituj të La Ligës, katër tituj të Ligës së Kampionëve, dy tituj të Super Kupës së Spanjës, një titull të Kupës së Mbretit, tre tituj të Super Kupës së Evropës dhe katër tituj të Kupës së Botës për Klube.

Gjatë ditëve të fundit ishte raportuar se kampioni i botës me Francën dëshiron të largohet nga Real Madridi. Menjëherë pas këtij lajmi ishte spekuluar se për të janë interesuar Manchester Unitedi dhe Juventusi.

(Kosova Sot)