13 lojtarët e Real Madridit me të ardhme të pasigurt

  • 02 April 2019 - 15:51
13 lojtarët e Real Madridit me të ardhme të pasigurt

Real Madridi është afër për t’i bërë disa ndryshime të mëdha gjatë afatit kalimtar të verës. Jo vetëm që do të ketë transferime, por do të ketë edhe largime nga skuadra.

Gjithsej 13 futbollistë i kanë të ardhmet e tyre në dyshim. E përditshmja spanjolle, Marca i ka analizuar rastet e secilit një nga një, si dhe opsionet e futbollistëve në fjalë.

Gareth Bale

Real Madridi beson se i ka ardhur fundi karrierës së Bale në Real Madrid dhe Zinedine Zidane pajtohet me këtë vlerësim. Problemi është se uellsiani dëshiron të qëndrojë deri në fund të kontratës së tij në “Santiago Bernabeu”.

Besohet se mjaft shumë klube mund të kenë oferta për të gjatë verës dhe Real Madridi beson se ai do të largohet. Çelësi besohet se do të jetë biseda mes lojtarit dhe presidentit të klubit, Florentino Perezit.

Raphael Varane

Një lojtar largimin e së cilit nuk e dëshiron klubi është Raphael Varane, mirëpo gjatë kohës së fundit është përfolur se ai dëshiron të largohet nga klubi madrilen.

Keylor Navas

Situata e portierit është pak e shumë e ngjashme me atë të Varanes. Klubi do të donte që ai të qëndronte, mirëpo ai do ta ketë fjalën e fundit. Nëse nuk dëshiron të qëndrojë, Real Madridi do t’ia plotësojë dëshirën.

Luca Zidane

Nuk përjashtohet mundësia që Luca Zidane ta vazhdojë kontratën e tij me Real Madridin edhe për një vit tjetër, mirëpo ai është ende në pritje për oferta të tjera.

Jesus Vallejo

Opsioni i katërt për pozitën e qendërmbrojtësit është afër largimit. Ai mund të transferohet plotësisht apo vetëm në formë huazimi.

Marcos Llorente

Sado që mesfushori ka bërë paraqitje të mirë kur ka luajtur këtë sezon, Zidane nuk ishte bindur nga ai sezonin e kaluar dhe e ardhmja e tij mund të varet nga vlerësimi i trajnerit për të, gjatë javëve të fundit të sezonit.

Dani Ceballos

Ceballos është në një situatë të ngjashme me Llorenten, pasi që as ai nuk shijoi shumë minuta lojë gjatë periudhës paraprake nën drejtimin e Zidanit. Gjithashtu, ai do të duhet ta dëshmojë veten në javët e fundit të sezonit.

Isco

Ky sezon ka qenë mjaft i vështirë për Iscon dhe transferimi i një lojtari si Paul Pogba apo Eden Hazardi mund t’ia vështirësojë edhe më shumë punën spanjollit.

Mariano

Klubi priste më shumë nga lojtari të cilin e transferuan gjatë verës dhe tani e ardhmja e tij është në duart e Zidanit, i cili besohet se e pëlqen mjaft shumë sulmuesin.

Marcelo

Klubi do të flasë me Zidanin në fund të sezonit për ta parë nëse Marcelo është pjesë e planeve të francezit për sezonin e radhës apo jo. Pastaj ata do të vendosin nëse do t’i ofrojnë kontratë të re brazilianit.

Karim Benzema

Si njëri prej performuesve më të mirë të këtij sezoni, sulmuesi pritet ta vazhdojë karrierën e tij në Real Madrid edhe për një sezon. Megjithatë, transferimi i ndonjë superylli mund të bëjë që ai ta rishqyrtojë këtë mundësi.

Brahim Diaz

Lojtari i transferuar gjatë afatit kalimtar të janarit do të huazohet për sezonin 2019/20.

Fede Valverde

Zidane e pëlqen 20-vjeçarin, por Valverde dëshiron ta ketë garantimin se do të luajë për mjaft shumë minuta sezonin tjetër. Uria e uruguaianit për të luajtur mund të bëjë që ai të largohet nga Santiago Bernabeu gjithashtu.

(Kosova Sot)