Solskjaer s’është i shqetësuar për formën e dobët të Pogbës

  • 03 April 2019 - 10:23
Solskjaer s’është i shqetësuar për formën e dobët të Pogbës

Mesfushori i Manchester Unitedit nuk u tregua i saktë para portës në shtatë ndeshjet e fundit, mirëpo këto statistika nuk e shqetësojnë trajnerin e tij.

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, insiston se forma e Paul Pogbës gjatë kohës së fundit nuk është arsye për t’u shqetësuar.

Francezi ishte zhgënjyes në ndeshjen e së martës kundër Wolves, të cilën “Djajtë e kuq” e humbën me rezultat 2:1 në kuadër të Premierligës.

Pasi i kishte shënuar nëntë gola në 12 ndeshjet e para që prej emërimit të Solskjaerit në pozitën e trajnerit të përkohshëm, Pogba ka dështuar ta gjejë portën në shtatë ndeshjet e fundit të Manchester Unitedit.

Megjithatë, këto statistika nuk duket se po e shqetësojnë trajnerin e tij, Ole Gunnar Solskjaerin.

“Ai mund ta kishte pasur lehtësisht një asist pas lojës së mrekullueshme me Romelu Lukakun. Këto janë vetëm shifra dhe numra. Pauli po punon po aq shumë sa të gjithë të tjerët, disa ditë thjesht nuk funksionon”, u shpreh Solskjaer.

Kjo disfatë ua ul “Djajve të kuq” shpresat për kualifikim në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.

Goli i shënuar nga Scott McTominay e kaloi Manchester Unitedin në epërsi në Molineux, ku fitorja do ta kishte dërguar klubin e tij në pozitën e tretë në tabelën e Premierligës, duke e kaluar Arsenalin dhe Tottenhamin.

Por, Diogo Jota e barazoi rezultatin pasi Fredi e humbi topin në një fazë të rrezikshme. Më vonë, kapiteni i Manchester Unitedit, Ashley Young, u ndëshkua me karton të kuq për shkak të ndërhyrjeve të parregullta.

Manchester Unitedi u duk fillimisht se ishte në kontroll të ndeshjes edhe pse po luante me një lojtar më pak në fushë, mirëpo një harkim i Joao Moutinho bëri që Chris Smalling të shënojë autogol. 

(Kosova Sot)