Shumë përforcime, pak cilësi

  • 03 April 2019 - 10:28
Shumë përforcime, pak cilësi

Përveç Prishtinës, përforcimet e tjera lënë shumë për të dëshiruar

Basketbollistët e huaj në vitet e fundit kanë qenë vendimtarë në skuadrat e tyre, megjithatë, kjo nuk ka ndodhur në dy-tri vjetët e fundit, për shkak se klubet po përballen me shumë probleme dhe nuk kanë mundësi që të paguajnë shuma të mëdha për lojtarët e huaj. Përveç Prishtinës, basketbollistët e tjerë të huaj nuk ishin në nivelin e dëshiruar

Pasluftës një numër i madh i basketbollistëve të huaj kanë luajtur në skuadrat e Kosovës. Disa kanë qenë shumë cilësorë, kurse disa basketbollistë kanë lënë shumë për të dëshiruar. Kjo sigurisht se varet nga buxheti i klubeve. Dikur kur basketbolli ishte në nivelin më të lartë, edhe përforcimet ishin shumë cilësore. Madje, vinin lojtarë edhe nga top-ligat evropiane. Në vitet e fundit ka ndodhur e kundërta, pasi përforcimet nuk ishin shumë cilësore, sepse buxheti ishte i vogël. Klubet po ballafaqohen me shumë probleme dhe kjo ka ndikuar edhe në përforcime.

Nuk dallojnë nga viti i kaluar

Edhe në këtë edicion, kishte një numër të konsiderueshëm të basketbollistëve të huaj. Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi, thotë se nuk kanë dalluar shumë nga ata të vitit të kaluar. “Lojtarët e huaj në krahasim me stinorin e kaluar nuk kanë dallim të theksuar. Përveç Z Mobile Prishtina, skuadrat tjera sipas meje nuk i kanë plotësuar pritshmëritë me lojtarët e huaj.

Pikërisht lojtarët e huaj janë angazhuar për të bërë diferencën, por, në të shumtën e rasteve ata nuk i kanë arsyetuar pritmshëritë dhe për atë se çfarë kanë ardhur. Ndoshta një apo dy raste, kanë qenë përforcime të qëlluara, derisa të tjerët jo. Kjo ndodh për shkak se shumica e lojtarëve janë të angazhuar pa para dhe një numër i madh i tyre vijnë sa për të bërë statistika dhe për të vazhduar karrierën në ndonjë skuadrën evropiane”, është shprehur Blerim Krasniqi për gazetën “Kosova Sot”.

Pas 25 xhirosh në elitë, Prishtina është bindshëm në vendin e parë, duke mos pësuar asnjë humbje, derisa arriti edhe në top-16 të FIBA Europe Cup. Bardhekaltrit kishin lojtarët më të mirë të huaj, për shkak të pjesëmarrjes në garat ndërkombëtare, dhe kjo ka bërë që të jenë të pakonkurrencë në garat vendore. Përveç që janë pa humbje në Superligën e basketbollit, bardhekaltrit kanë fituar edhe Kupën e Kosovës në basketboll.

Varet nga buxheti

Transferimet lidhen me buxhetin e klubeve. Sa më të madh e kanë buxhetin, aq më shumë përforcimet janë cilësore. Por, shumë lojtarë kanë luajtur edhe pa para. “Kuptohet ata që vijnë në këtë mënyrë, mund të paramendojmë se çfarë cilësie kanë. Një problem tjetër që duhet veçuar është se në mungesë të dhënies së hapësirës për lojtarët vendorë, klubet po marrin hapa të tillë, duke angazhuar lojtarë totalisht të padëshmuar dhe që nuk janë cilësorë.

Ata vijnë pa para, megjithatë, kanë shpenzime, si për shembull, akomodimi, ushqimi dhe shpenzimet tjera. Pra, nuk janë ‘gratis’ siç pretendojnë disa skuadra. Shpresoj dhe mendoj që ‘Play-off’-i të jetë më interesant, si me ndeshje, ashtu edhe me shikueshmëri. Edhe basketbollistët e huaj do të kenë rolin e tyre në garat shtesë dhe është normale që skuadrat të presin më shumë nga ata. Sigurisht se problemet financiare të klubeve, kanë bërë që lojtarët të mos jenë në nivelin e dëshiruar”, ka shtuar tutje Blerim Krasniqi për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)