Wengeri i zbulon ofertat për pozitën e trajnerit të Francës dhe të PSG-së

  • 03 April 2019 - 10:54
Wengeri i zbulon ofertat për pozitën e trajnerit të Francës dhe të PSG-së

Ish-trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka zbuluar se ai i kishte marrë disa oferta për t’u bërë trajner i ekipit kombëtar të Francës, si dhe u përgjigj ndaj spekulimeve se ai do të bëhet trajner i Paris Saint-Germainit.

Francezi Arsene Wenger ka qenë i papunësuar që kur u largua nga Arsenali, në fund të sezonit të kaluar, duke i dhënë fund karrierës së 22-vjeçare me klubin londinez

Që nga atëherë, për të është spekuluar se është afër për ta pranuar ofertën e Paris Saint-Germainit për pozitën e trajnerit, veçanërisht pasi që trajneri 69-vjeçar është afër kthimin të tij në botën e futbollit.

Për Wengerin është spekuluar se ka qenë afër emërimit edhe si trajner i ekipit kombëtar të Francës, madje edhe gjatë kohës sa ai ishte trajner i Arsenalit. Wengeri ka zbuluar se këto spekulime ishin të vërteta.

“Sot, më mungon gara dhe, në të njëjtën kohë, dua të kaloj më shumë kohë me njerëzit që i dua dhe karriera ime si trajner m’i ka harxhuar të gjitha energjitë. Edhe kur isha fizikisht me njerëzit e mi të afërt, nuk isha aty plotësisht”, ka thënë Wenger për Le Parisien.

“Mund të isha bërë trajner i ekipit kombëtar të Francës. Më është ofruar kjo pozitë disa herë, por më pëlqente puna ime më shumë. Sot, “Les Bleus” janë në duar shumë të mira, Didier Deschamps është duke bërë punë të mirë dhe nuk ka nevojë për ndryshime”.

“Nuk e di nëse do të shkoj në PSG ndonjë ditë. PSG-ja ka skuadër të mrekullueshme, por ata e kanë një lloj mallkimi në Ligën e Kampionëve dhe ata e kanë edhe një pengesë për ta kaluar. Do ta arrijnë këtë gjë ndonjë ditë”.

“Ne duhet t’u japim atyre kohë, por ne duhet ta pranojmë se tifozëve të tyre po u mungon durimi këtë vit”.

(Kosova Sot)