Mourinho e zbulon zënkën me Pogbën për shkak të një veture

  • 03 April 2019 - 11:08
Mourinho e zbulon zënkën me Pogbën për shkak të një veture

Ish-trajneri i “Djajve të kuq”, Jose Mourinho, e thumboi mesfushorin francez, Paul Pogbën, me të cilin kishte pasur disa probleme gjatë fundit të karrierës së tij në Old Trafford.

Jose Mourinho dhe Paul Pogba nuk kishin aspak marrëdhënie të mira mes vete dhe tani portugezi e ka zbuluar incidentin që kishte ndikuar në përkeqësimin e lidhjes mes tyre dhe e kishte trasuar rrugën për shkarkimin e trajnerit.

Incidenti në fjalë besohet se erdhi pas fitores 2:0 kundër Burnleyt, një ndeshje që u zhvillua vetëm disa ditë para se Pogba ta humbiste shiritin e kapitenit, në shtator të vitit të kaluar.

“Ne luajtëm kundër një skuadre që ishte 30 kilometra larg Mançesterit dhe një lojtar më pyeti nëse ai mund të kthehet pas ndeshjes i vetëm dhe jo me autobusin e ekipit”, ka thënë Mourinho gjatë një seminari të trajnerëve në Portugali.

“Unë i thashë atij: “Nëse do të kishim shkuar në Londër dhe ti do të dojë të qëndroje aty, do të ishte temë tjetër. Por, këtu jemi afër, kjo gjë është e pakuptimtë””.

“Djaloshi u mërzit. Por, pastaj ne e fituam ndeshjen dhe ai më pyeti përsëri. Pasi që isha i lumtur, u dorëzova paksa dhe i thashë: “Largohu nga stadiumi me ne me autobus dhe kërko nga shoferi yt që të takoheni dhjetë minuta larg stadiumit. Pastaj, mund të shkosh si të duash””.

“Dhe ky djalosh nuk ishte aspak i lumtur në zhveshtore. Unë shkova në konferencë për shtyp dhe kur u ktheva te autobusi i ekipit, e pashë që aty afër ishte i parkuar edhe një Rolls Royce me shoferin e tij”.

“Në fund të fundit, vetura ishte e re dhe Shkëlqesia e Tij dëshironte të largohej nga stadiumi me Rolls Roycen e tij. Tani, si duhet ta zgjidh këtë problem? T’i thuash të mos shkojë me Rolls Royce? Mund të shkosh kur jam unë i lumtur? Ose ta zgjidhim këtë problem në një mënyrë për të më pushuar mua”.

Pogba ka qenë në formë shumë më të mirë që nga largimi i Mourinhos, pasi e ka gjetur një rol shumë më të rëndësishëm në skuadrën e Ole Gunnar Solskjaer, që tani radhitet në pozitën e pestë në Premierligë.

“Djajtë e kuq” kanë baras pikë me Tottenhamin në vend të katërt dhe vetëm dy pikë më pak se Arsenali që renditet në pozitën e tretë. Lufta për ta zënë një vend në top katërshe, kualifikues për sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, është mjaft e zjarrtë këtë sezon.

(Kosova Sot)