Presidenti i UEFA-s u kërkon gjyqtarëve t’i ndalin ndeshjet kur ka thirrje raciste

  • 03 April 2019 - 11:36
Presidenti i UEFA-s u kërkon gjyqtarëve t’i ndalin ndeshjet kur ka thirrje raciste

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, thotë se ai do t’u kërkojë gjyqtarëve që të jenë më të guximshëm dhe t’i ndalin ndeshjet kur tifozët në tribuna e abuzojnë në baza racore ndonjë futbollist.

Fitorja 5:1 e Anglisë në stadiumin e qytetit të Podgoricës mbeti nën hijen e pretendimeve për thirrje raciste, të cilat ishin bërë në drejtim të Danny Rose dhe Callum Hudson-Odoit.

Mbrojtësi i Tottenhamit, Rose, dukej se u bë viktimë e abuzimit në baza racore nga tifozët në tribunat e stadiumit, pasi u ndëshkua me karton të verdhë. Ndërsa, Hudson-Odoi pretendoi se ai ishte gjuajtur me shkrepëse nga tifozët malazezë, kur po e festonte golin e pestë të Anglisë.

Kjo bëri që dje UEFA t’i hapë hetimet ndaj Malit të Zi dhe tani ka mundësi që ndeshja e ardhshme e Kosovës, e cila do të zhvillohet në Mal të Zi, të luhet pa tifozë. Kur u pyet t’i komentojë këto incidente, presidenti Ceferin i tregoi zgjidhjet e mundshme për këtë problem.

“Momentin që ndeshja ndalet, ose nuk zhvillohet fare, mendoj se 90 për qind të njerëzve normale do t’ua tregojnë qejfin atyre idiotëve. Është 2019-a e nuk jemi para 100 vjetëve”, ka thënë Ceferini.

“Do të flasim me gjyqtarët përsëri dhe do t’u themi që të kenë më shumë vetëbesim, që të mos frikësojnë të ndërmarrin veprime të tilla. Ky është një problem i madh, jo vetëm në Ballkan, por kudo në Evropën Lindore”.

“Aty nuk ka shumë emigrantë sepse të gjithë duan të shkojnë në Evropën Perëndimore për shkaqe ekonomike, për punë dhe për jetë më të mirë. Kështu që për ta zgjidhur këtë duhet kohë”.

“Por, natyrisht ne e shohim Italinë, njëra ndër vendet me problemet më të mëdha me racizëm, seksizëm dhe homofobi. E kemi Anglinë, ku ka gjithashtu probleme. Ky është problem i njerëzve jotolerantë, jo problem i kombeve”.

Një incident i ngjashëm ndodhi edhe mbrëmë në Itali, gjatë ndeshjes mes Cagliarit dhe Juventusit, ku tifozët e klubit vendas e sulmuan yllin e ri të Juventusit, Moise Kean, me thirrje raciste.

Pasi Kean shënoi në minutën e 85-të të ndeshjes, loja u ndal për rreth tre minuta dhe një paralajmërim u dha për tifozët. Ky ishte hapi i parë në procedurën prej tre hapave që ndërmerren në raste të tilla. Në fund, nëse këto gjëra dështojnë, skuadrat e lënë ndeshjen. 

(Kosova Sot)