Shqipëria e zëvendëson Majlinda Kelmendin me një italian 34-vjeç

  • 03 prill 2019 - 13:40
Shqipëria e zëvendëson Majlinda Kelmendin me një italian 34-vjeç

Dikur Shqipërinë në gara ndërkombëtare të xhudos e përfaqësonte Majlinda Kelmendi, e cila tashmë nuk ka lënë medalje pa fituar me flamurin e Republikës së Kosovës. Ndërsa, Shqipëria e ka gjetur një zëvendësim të Majlindës për xhudon ndërkombëtare. Në Botëror kuqezinjtë do të përfaqësohen nga një italian 34-vjeç.  

Shqipëria ka mbetur keq me xhudo pas ndërkombëtarizimit të sportit kosovar.

Kjo për shkak se xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi, e cila në Olimpiadën “Londra 2012” e kishte përfaqësuar shtetin shqiptar, tani bashkë me garues dhe garuese tjera të ekipit të trajnerit Driton Kuka po e përfaqësojnë me shumë sukses Kosovën.

Kjo ka bërë që Shqipëria të kërkojë mbulim të këtij deficiti jashtë kufijve të saj. Duke e parë se xhudon kosovare më nuk e ka në dispozicion, kuqezinjtë kanë shkuar më larg. Dhe, janë ndalur në Itali ku e kanë gjetur një xhudist italian për ta përfaqësuar shtetin shqiptar.

Fjala është për Marco Maddalonin, i cili në shtator të këtij viti pritet t’i përfaqësojë shqiptarët në Kampionatin Botëror që do të mbahet në Japoni. Këtë e ka bërë të ditur vet italiani për një media italiane.

“Sot jam 34 vjeç. Dua të rimëkëmbem në dinjitetin tim sportiv i cili më ka rënë prej tri vitesh. Andaj kam vendosur të garoj me Shqipërinë në Kampionatin Botëror të Japonisë”, ka thënë ai.

“E di se jam 34 vjeç dhe me pesë ndërhyrje në këmbë. Por Shqipëria më dha mundësinë për të fituar të drejtën time për t’u tërhequr nga sporti dhe e bëj me kënaqësi”, ka theksuar Maddalonin.

Ai ka bërë të ditur se paraqitja e tij me flamurin e tij shqiptar do të jetë edhe e fundit pasi menjëherë pas Botërorit do të shkojë në pensionim. Marco Maddaloni është shtatë herë kampion i Italisë, dy herë fitues i vendit të tretë në Kupën e Botës dhe dy herë kampion evropian. 

(Kosova Sot)