Bonucci nuk zmbrapset, vazhdon të mendojë se Kean pati pjesërisht faj pse përjetoi abuzime raciste

  • 03 April 2019 - 16:26
Bonucci nuk zmbrapset, vazhdon të mendojë se Kean pati pjesërisht faj pse përjetoi abuzime raciste

Leonardo Bonucci i ka qëndruar besnik komenteve të tij se Moise Kean ishte pjesërisht fajtor për thirrjet raciste që u bënë ndaj tij nga tifozët e Cagliarit, por këmbëngul se ai është kundër diskriminimit racor.

Bonucci shkaktoi polemika të mëdha dhe u kritikua ashpër kur tha se Kean e nxiti abuzimin racist nga tifozët e Cagliarit në fitoren e Juventusit 2:0 në Sardegna Arena të martën mbrëma.

“Pati thirrje raciste pas golit, Blaise (Matuidi) i dëgjoi dhe u zemërua. Por mendoj se faji është 50-50, sepse Moise nuk është dashur ta bëjë atë (festimin) dhe se Curva (tifozët ultras) nuk është dashur të reagonin në atë mënyrë. Ne jemi profesionistë dhe duhet të jemi shembull jo të provokojmë”, tha mbrëmë qendërmbrojtësi italian.

31-vjeçari është kritikuar ashpër në rrjetet sociale për komentet e tij. Tani, italiani ka reaguar në Instagram, duke theksuar se është kundër racizmit por nuk u zmbraps nga komentet e mëparshme.

“Pavarësisht të gjithave, në çfarëdo rasti… thuaj jo racizmit”, shkroi Bonucci.

(Kosova Sot)