Van Dijk rikuperohet në kohë, i gatshëm për ndeshjen e ardhshme të Liverpoolit

  • 03 April 2019 - 18:13
Van Dijk rikuperohet në kohë, i gatshëm për ndeshjen e ardhshme të Liverpoolit

Mbrojtësi i Liverpoolit, Virgil van Dijk, ka stërvitur normalisht dhe do të jetë në dispozicion të Jurgen Kloppit për ndeshjen e ardhshme kundër ish-skuadrës së tij Southampton të premten në Premierligë.

Van Dijk e lëndoi veten në përpjekje për ta ndalë Moussa Sissokon e Tottenhamit në minutën e 85-të të ndeshjes të së dielës, por Klopp konfirmon tani se mbrojtësi holandez u duk në rregull gjatë stërvitjeve këtë javë.

Blerja rekorde e Liverpoolit e dëshmoi vlerën e vet në duel me Sissokon, pasi me sukses e mbrojti portën në një kundërsulm dy kundër një kur ndeshja ishte 1:1, pak momente para se të kuqtë ta shënonin golin e fitores.

“Ai ia doli i vetëm, për 50 sekonda, dhe vendimi i tij ishte 100% i saktë, por Tottenhami ka mundur të shënonte në atë situatë. Zakonisht mbrojtja është punë ekipore dhe kjo e ndihmon atë dhe ai na ndihmon shumë neve”, tha Klopp.

“Ai na ka përmirësuar neve që prej se ka ardhur në skuadër. Ai është futbollist shumë i mirë dhe i bën më të mirë edhe të tjerët përreth tij”, shtoi Klopp.

(Kosova Sot)