Hazardi tallet me stadiumin e ri të Tottenhamit

  • 04 April 2019 - 14:30
Hazardi tallet me stadiumin e ri të Tottenhamit

Superylli i Chelseat ia ka dërguar një mesazh rivalit të qytetit të klubit të tij, Tottenhamit, sa i përket garës për t’u kualifikuar në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.

Eden Hazardit i ka bërë përshtypje stadiumi i ri i Tottenhamit, mirëpo nuk është xheloz pasi që thotë se skuadra e tij fiton trofe e ajo e Tottenhamit jo.

Tottenhami e zhvilloi mbrëmë ndeshjen e parë në stadiumin e ri. Atë ndeshje ata e fituan me rezultat 2:0 ndaj Crystal Palace, duke i rritur gjasat për t’u kualifikuar në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.

Skuadra e Mauricio Pochettinos do t’i zhvillojë edhe katër ndeshje të tjera në shtëpi deri në fund të sezonit të Premierligës, ku po luftojnë kundër Chelseat, Arsenalit e Manchester Unitedit për një vend në top katërshe.

Ndërsa, Chelsea u ngrit në pozitën e pestë në tabelën e ligës angleze pas fitores me rezultat 3:0 ndaj Brightonit. Skuadra e drejtuar nga Maurizio Sarrit mbetet për momentin jashtë top katërshes për shkak të dallimit në gola të shënuar.

“Mendoj se Tottenhami, për dy apo tre vjetët e fundit, ka qenë njëra ndër klubet më të mira në Angli. Kjo është e sigurt. Ne jemi Chelsea dhe është një derbi i madh. Për Premierligës është një gjë e mirë – një stadium i ri dhe ata kanë lojtarë të nivelit më të lartë”, ka thënë Hazardi.

“Por, në fund të fundit ne kemi fituar shumë trofe, ata jo, kështu që shpresoj që kjo gjë të vazhdojë. Mendoj se më pëlqen kjo gjë sepse njerëzit nuk po flasin për Chelsean për top katërshe”.

(Kosova Sot)