Autogoli i Ballkanit në minutat e fundit ia jep fitoren Feronikelit

  • 04 April 2019 - 16:00
Autogoli i Ballkanit në minutat e fundit ia jep fitoren Feronikelit

Feronikeli ka arritur ta fitojë me rezultat 1:0 përballjen me Ballkanin, duke e përforcuar pozitën e parë në tabelën e IPKO Superligës së Kosovës.

Në minutën e 89-të të ndeshjes, Dardan Jashari i Ballkanit shënoi autogol pas një harkimi brenda zonës së portierit.

Ky gol doli të jetë vendimtar, pasi që dy skuadrat nuk u treguan të sakta para portës asnjëherë tjetër gjatë ndeshjes së vlefshme për xhiron e 25-të.

Pjesa e parë e kësaj ndeshjeje, e zhvilluar në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, u mbyll pa gola. Ballkani e kishte shënuar një gol, në minutën e 31-të, përmes Jetmir Topallit, mirëpo goli ishte anuluar për pozitë jashtë loje.

Me këtë fitore, Feronikeli e përforcon pozitën e parë, duke kaluar sërish pesë pikë para rivalit Llapi në tabelën e IPKO Superligës së Kosovës. Ndërsa, Ballkani nuk lëviz nga pozita e tetë, me baras pikë me Flamurtarin, që gjendet në pozitën e nëntë.

Tabela e Superligës pas kësaj ndeshjeve:

Sot në orën 18:00 do ta zhvillojë ndeshjen rivalit tjetër i Feronikelit për titull, Prishtina, e cila e pret në shtëpi Lirinë. 

Image

(Kosova Sot)