Sindromi i Ronaldos: Real Madridi është mposhtur 15 herë këtë sezon

  • 05 April 2019 - 15:47
Sindromi i Ronaldos: Real Madridi është mposhtur 15 herë këtë sezon

Me tetë ndeshje të La Ligës të mbetura deri në fund të sezonit për skuadrën e Zinedine Zidanit, Real Madridi veçse i ka humbur 15 ndeshje këtë sezon.

Gjatë këtij sezoni, “Los Blancos” kanë pësuar disfatë nëntë herë në La Liga, tri herë në Ligën e Kampionëve, dy herë në Kupën e Mbretit dhe një herë në Super Kupën e Evropës, shkruan AS.

Hera e fundit që Real Madridi kishte rekord kaq negativ për ndeshje të humbura ishte në sezoni 2008/2009, kur madrilenët i kishin humbur 16 ndeshje. Djelmoshat e Zinedine Zidanit janë një ndeshje larg barazimit të këtij rekordi negativ.

Efekti CR7

Cristiano Ronaldo arriti në Madrid në vitin 2009 dhe gjatë karrierës së tij në Spanjë, ai i pësoi mesatarisht shtatë disfata në sezon me Real Madridin. Ka shumë arsye për dështimet e “Los Blancos” këtë sezon, mirëpo largimi i Ronaldos është padyshim njëra prej tyre.

Numri më i madh i disfatave brenda sezonit gjatë nëntë vjetëve që Ronaldo ishte pjesë e Real Madridi ishte 11, në sezonin 2012/13 me Jose Mourinhon. Skuadra u mposht dhjetë herë në sezonin 2014/15, që çoi deri te shkarkimi i Carlo Ancelottit.

Sezonin e kaluar, Real Madridi u shpall kampion i Evropës për të 13-n herë, por e pësuan shijen e hidhur të humbjes nëntë herë gjatë sezonit. Sezonet e tjera, Ronaldo i pësoi shtatë humbje (2009/10), gjashtë (2010/11 dhe 2013/14) dhe pesë (2011/12, 2015/16 dhe 2016/17).

Tetë nga disfatat e këtij sezoni erdhën gjatë kohës sa Santiago Solari ishte trajner, gjashtë nën drejtimin e Julen Lopeteguit dhe një me Zidanen. 

(Kosova Sot)