Iniesta: Barcelona duhet të kishte fituar më shumë trofe të Champions League

  • 05 April 2019 - 19:06
Iniesta: Barcelona duhet të kishte fituar më shumë trofe të Champions League

Andres Iniesta mendon se me skuadrën që ka pasur Barcelona, nuk ka fituar trofe aq sa duhet dhe do të kishte dëshiruar që të ngrinte më shpesh lart kupën me veshë.

Iniesta, një nga lojtarët më  të mirë të historisë së klubit katalanas, u largua nga “Camp Nou” pas më shumë se 22 vitesh të kaluar tek ekipet e moshave dhe skuadra e parë.

Ai arriti të fitonte 30 trofe me “bluagranat”, duke përfshirë këtu edhe katër Champions League.

Triumfi i fundit i katalanasve në Europë ka qenë në sezonin 2014/15.

Që nga ai moment, Barcelona ka marrë vetëm zhgënjime, duke u ndalur në fazën çerekfinale të kompeticionit në tri sezonet e fundit. Një situatë kjo që është përkeqësuar nga dominimi i rivalëve të përjetshëm të Real Madrid gjatë këtyre viteve, që kanë fituar katër trofe në pesë vite.

“Nuk jam i zemëruar”, ka thënë Iniesta për “Club del Deportista”.

“Sigurisht, do të më  kishte pëlqyer të kisha fituar më shumë Champions. Kush nuk do ta donte këtë? Por mendoj se njerëzit duhet të ndihen krenarë për arritjet tona, sepse ato arritje i kanë bërë të ndihen të lumtur”.

“Real Madrid ka fituar shumë Champions dhe ndihen të lumtur për këtë, por ata nuk ndihen të lumtur për faktin se nuk kanë fituar kampionatin. Është e vërtetë se Barcelona duhet të kishte bërë më shumë në Champions me ekipin që ka patur në këto vite”.

(Kosova Sot)